Shteti s’e konfirmon vrasjen e terroristit Ridvan Haqifi, familja ka hapur të pame (Foto)

09.02.2017 18:54:42
“Ditë të zeza”, për shqiptarët që nuk e përkrahin ISIS’in, kishte paralajmëruar Ridvan Haqifi. Por, zotimin e tij udhëheqësi i terroristëve shqiptarë në Siri e Irak nuk do të mund ta përmbushë kurrë. Familja e tij ka hapur të pame, tash e disa ditë, në lagjen e Bllacëve në Gjilan ku banojnë, derisa autoritetet kosovare, gati 24 orë pas lajmit për vrasjen e Haqifit në Siri, që mori jehonë gjithandej, nuk po arrijnë të konfirmojnë asgjë në lidhje me të. 
“A po na leni rahat”, prej largu bërtiti babai i Ridvan Haqifit. Kjo vlente vetëm për gazetarët, të cilët ia kishin mësyrë shtëpisë së tij në rrugën “Ramiz Cërnica” të Gjilanit, më pak se dy kilometra larg xhamisë së famshme të këtij qyteti ‘El Kuddus’.

Të tjerë që kishin ardhur për të parë, ai i priste tek dera e oborrit. Plaku Haqifi po pranon ngushëllime nga familjarë e të afërm, pasi nga Siria atij i ka mbërritur lajmi se djali i tij i është vrarë si terrorist, në një nga betejat e ISIS’it.

Për vdekjen e kosovarit, i cili ISIS’it iu ishte bashkuar qysh korrikun e vitit 2014, ka njoftuar vetë familja Haqifi, të mërkurën mbrëma, përmes televizionit publik. Por, askush nga autoritetet e sigurisë në Kosovë, të enjten, nuk ka marrë guxim të konfirmojë vrasjen e tij në luftime.

Derisa kur terroristë tjerë nga Kosova u vranë në zonat e konfliktit në Siri e Irak, Policia e Kosovës, apo MPJ’ja zyrtarisht konfirmonin informacionet të cilët pranonin nga agjencitë e inteligjencës të huaja që operonin në ato territore të rrezikshme, këtë herë kanë zgjedhur heshtjen.

Një zëdhënës i policisë së Kosovës, të enjten, Gazetën Express e drejtoi tek Ministria e Punëve të Jashtme, kur u pyet për informacionet që kanë për vrasjen 27 vjeçarit. E komentimit të kësaj vrasje iu kanë shmangur edhe zyrtarët e këtij dikasteri.

Vdekja e liderit shqiptar të ISIS’it nuk është njoftuar as në një sajt në gjuhen shqipe që transmeton  informacione të grupit terrorist që tash e disa vite ka rrëmbyer territore të rëndësishme në Siri e Irak.

Në Gjilan, ku familja ka hapur të pame, buzë rrugës pranë dyerve të oborrit të shtëpisë, është e vendosur një karrige me peshqir të bardhë që njofton se familja ka hapur dyert për ngushëllim. Mbi karrige, në vend të fotografisë së të ndjerit, siç vendoset zakonisht, ndodhet vetëm një vazo me lule portokalli.

“A ka mundësi me n’shu rrugën”, ishte kërkesa e një tjetër djali të familjes Haqifi për ekipin e Gazetës Express, pas refuzimit që bëri babai i terroristit që qershorin e 2015 kishte kërcënuar me hakmarrje ndaj gjithë atyre që s’janë rreshtuar përkrah ISIS’it, e që sipas tij kanë poshtëruar myslimanët.

Për vrasjen e terroristit pretendojnë edhe Bashkësia Islame në Gjilan. Por, as ata nuk kanë dhenë detaje tjera.

Ridvan Haqiri nga viti 2014 kur shkoi në zonat aziatike të konflikteve ishte njeri i besueshëm i imamit kosovar që e rekrutoi atë, Zekria Qazimi. Hoxha që tash po vuan dënimin në Kosovë për rekrutim të terroristëve, e kishte larguar nga primati i të parit të xhihadistëve shqiptarë Lavdrim Muhaxherin, për ta zëvendësuar me atëkohë njëzetekatërvjeçarin nga Gjilani, Ridvan Haqifi.

Madje urdhri i Qazimit ishte dhënë nga Kosova, zbuloi Gazeta Express në një seri të mesazheve të komunikimit të këtyre terroristëve që i kishte publikuar, dhjetorin e 2015’ës.

Mësuesi i Haqifit, Zekria Qazimi bashkë me gjashtë të tjerë u dënuan, në maj të vitit të kaluar, me 42 vite burgim për terrorizëm – 10 prej 42 viteve dënim me burg ishin rezervuar për imamin e ‘El Kuddus’ për rekrutim.

Ky grup nuk ishte i vetmi që u dënua për terrorizëm në Kosovë. Kjo pasi Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 kishte miratuar “Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”, të cilin e kishte dekretuar ish-presidentja Atifete Jahjaga, më 25 mars të atij viti.

Ky ligj parasheh dënimin prej 5 deri në 15 vite burgim për këdo që “organizon, rekruton, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

15 vite burgim, sipas të nijetit ligj, është maksimumi i dënimit edhe për ata që kanë marrë pjesë në formacionet e jashtme paraushtarake duke u bërë pjesë e konflikteve të armatosura jashtë territorit të vendit tonë, siç ka vepruar Ridavan Haqifi.

Njëjtë dënohen edhe ata që financojnë këto grupe dhe organizime.

Ridvan Haqifi që prej kur mori komandon në ISIS ndërroi emrin në Abu Muqatil ‘Al Kosovi’ . Ai është lindur në fshatin Bukovik. Për rastësi ditëlindja e tij është në ‘Ditën e Amerikës’,  më 4 korrik të vitit 1990.

Haqifi para se të zgjidhte rrugën e xhihadit, në Kosovë ishte shkolluar për imam, në degën e Gjilanit të Medresesë “Alaud-din”. Ai kur u nis për luftime, familjes i kishte thënë se po shkonte për studime në Egjipt