Pas njoftimeve të palës turke se marrëveshja e arritur me palën ruse për Sirinë nuk është duke u respektuar nga ushtria ruse, ku si pasojë po bombardohen zonat rreth qytetit verior të Idlibit, në Turqi kanë filluar të dëgjohen thirrje që Turqia duhet të hyjë në konflikt me Rusinë.
Një nga ata që bëjnë thirrje për konfrontim me Rusinë është kryetari i partisë Lëvizja Nacionaliste e Turqisë, Devlet Bahçel, i cili gjatë qeverisjes së Bulent Ecevitit kishte ushtruar postin e zëvendëskryeministrit.
Sipas Bahçelit sulmet ajrore ruse në Siri kanë arritur nivelin e kërcënimit të drejtpërdrejtë për praninë ushtarake dhe bazat turke në pjesën veriore të Sirisë.
Në lidhje me retorikën ruse “të luftimit të terroristëve” në Siri, Bahçel u shpreh se është e papranueshme për Turqinë dhe se ushtria ruse në Siri do të duhej të ndalej. Kjo do të tregonte gatishmërinë e Turqisë për përplasje në Idlib, jo vetëm me ushtrinë siriane por edhe me ushtrinë ruse.








































