Si ti angazhojmë në mësim nxënësit e pamotivuar?!

19.04.2021 02:24:52

Shkruan: Thëllëzë Kastrati-psikologe

Sa herë flasim për sjelljen në përgjithësi, e sidomos për pjesën akademike, të mësuarit, suksesin dhe angazhimin akademik gjëja e parë që na bie ndër mend është motivimi. Sigurisht kemi të drejtë sepse është forca që i fillon, mbështet dhe i mban sjelljet, dhe në psikologjinë e edukimit njihet për ndërlidhjet që i ka me suksesin akademik. Gjithashtu vlersojmë më shumë motivin e brendshëm, i cili ka për bazë interesimin e individit për lëndën, dhe kënaqësinë që i jep të mësuarit e asaj lënde, kundrejt të mësuarit për notë ose ndonjë shpërblim tjetër.

Megjithatë në klasë nuk mund të kenë të gjithë motiv për të mësuar, e jo më motiv të brendshëm, dhe kurdo që ne si psikolog flasim për motivimin, hasim në pyetjen çfarë do të bëjmë me të pamotivuarit, ata që nuk interesohen dhe nuk angazhohen në mësime, sepse sigurisht përbëjnë një pjesë signifikante të klasës.

Për tu përgjigjur në këto pyetje, janë bërë studime në interesimin situacional, i cili paraqet një përgjigje të menjëhershme afektive ndaj kushteve të caktuara dhe/ose stimujve në mjedisin mësimor që fokuson vëmendjen e nxënësit në detyrë, dhe është konstrukt me të vërtetë i fuqishëm për shkak se mund të manipulohet dhe është nën kontrollin e mësimdhënësve, përkundër motivit të brendshëm i cili është vështirë i manipulueshëm. Gjithashtu është vërtetuar se interesimi situacional është faktor më i rëndësishëm në angazhimin në klasë, se sa motivi i brendshëm, sepse ndonjëherë edhe nxënësit që kanë motiv të brendshëm për të mësuar nuk angazhohen në klasë, me arsyen se e mësojnë në shtëpi ose në një situatë tjetër.

Tani pyetja është si munden mësimdhënësit ta rrisin interesimin situacional të nxënësve?

Hulumtimet kanë treguar se stimuj të tillë si enigma, detyra sfiduese, tekste të mirë organizuara, ose thjesht duke u siguruar nxënësve zgjedhje në mënyrën se si ata mësojnë dhe atë që ata mësojnë, rrisin interesimin e situatës andaj ju si mësimdhënës:

  • Siguroni zgjedhje kuptimplota për atë se çfarë dhe si do të mësojnë nxënësit;
  •  Përzgjidhni tekste të mirëorganizuara, të strukturuara dhe të gjalla, duke përfshirë dhe kuize, enigma apo detyra sfiduese;
  • Siguroni njohuritë përkatëse të sfondit të nevojshme për të kuptuar plotësisht një temë;
  • Inkurajoni nxënësit për të qenë nxënës aktivë (me anë të parashikimit ose përmbledhjes së asaj që ata tashmë dinë, duan të dinë dhe kanë mësuar);
  • Përballni nxënësit me një keqkuptim që ata kanë për një temë të caktuar (p.sh. deri tani keni menduar se faktori kyç që nxënësit të angazhohen në klasë është motivi i tyre i brendshëm për të mësuar, por është vërtetuar që interesimi situacional ka më shumë ndikim.);
  • Nxisni ndërveprimin social përmes punës në grupe;
  • Përdorni humorin apo të tregoni një histori.

Pos këtyre edhe karakteristikat e mësimdhënësit ndikojnë në interesimin situacional të nxënësve. Këto karakteristika ndahen në tri grupe, kongruenca kognitive e cila i referohet aftësisë për të shprehur veten në një gjuhë që nxënësit mund ta kuptojnë, kongruenca shoqërore e mësimdhënësit e cila i referohet interesit personal ose shqetësimit të një mësimdhënësi për nxënësit e tij, si dhe kongruenca informative që tregon shkallën e njohurive që ka një mësimdhënës për lëndën. Gjithashtu është vërtetuar që nxënësit tregojnë më shumë interesim nëse shohin se mësimdhënësi ka interesim dhe pëlqen lëmdën, kështu që:

  • Shfaqni interesimin dhe pëlqimin tuaj për lëndën sa më shpesh të jetë e mundur, shfaqeni se po flisni për një temë të caktuar për shkak se juve ju intereson dhe e pëlqeni atë temë, dhe jo vetëm sepse duhet të flisni;
  • Flisni në një gjuhë sa më të kuptueshme për nxënësit tuaj, duke përdorur koncepte që ata përdorin, janë të njohura për ta dhe mund të kapen lehtë;
  • Bisedoni me ta dhe tregohuni miqësorë;
  • Shfaqeni se ju interesoheni për ta në të vërtetë, dhe jo thjesht se po bëni punën tuaj.
Nëse ju punoni në rritjen e interesimit situacional dhe angazhimit në klasë të nxënësve tuaj, ju nuk jeni thjesht duke e mirëorganizuar orën mësimore, por jeni duke rritur mundësitë që nxënësit tuaj të jenë të sukseshëm, dhe të dobishëm për shoqërinë, dhe në të njejtën kohë i mbroni ata nga shumë dukuri negative të cilat mund të fillojnë me mosinteresiminn e tyre në mësim, ikjen nga orët mësimore, ose braktisjen e shkollës.