DEPRESIONI (Gjendja shpirtërore)

16.08.2021 09:00:02

Nga  ANXHELA PEZA       

Shumica e njerëzve abuzojnë me fjalën se “jam në depresion” apo “kalova në depresion”. Kur je i trishtuar dhe humb interesin mbi gjërat e mëparshme apo bie moralisht sepse diçka ju shqetëson, kjo nuk do të thotë që je në gjendje depresive.

Simptoma të tilla si:

  • shqetësime me gjumin,
  • probleme me oreksin,
  • luhatje të humorit,
  • vështirësi në të menduar,
  • axhitim ose vonesë psikomotore,
  • ndjenja faji mendime mbi vdekjen ose vetvrasjen etj.

Këto janë disa nga ndjenjat dhe mendimet të cilat tregojnë që mund të jesh në gjendje depresive. Sigurisht këto duhet të zgjasin në kohë dhe në intensitet, duke ndikuar në aktivitetin tuaj të përditshëm, dhe duke penguar shijimin e gjërave që më parë ju jepnin kënaqësi.

Depresioni është një term klinik që përshkruan një gjendje mjekësore e cila ndikon në mënyrën sesi humori kontrollohet nga truri, ( një çrregullim humori). Depresioni prek ndjenjat, mendimet dhe funksionet e trupit. Në tërësi, këto simptomat e lartpërmendura, prodhojnë një efekt të padëshirueshëm në jetën e njerëzve, duke ndikuar në mirëqenien personale apo ndërpersonale dhe punën gjithashtu.

Format klinike të depresionit janë;

  • Episodi depresiv:  ky lloj është një nga format më të zakonshme. Një episod i vetëm ndodh disa javë në vite, duke shfaqur një kombinim të simptomave, por gjithnjë zgjasin më shumë se 2 javë.
  • Çrregullimi periodik depresiv: kur përsëritet episodi depresiv, flasim për çrregullim periodik depresiv ose çrregullime të mëdha depresive, që zakonisht fillojnë në adoleshencë ose në moshën e pjekurisë. Individët me këtë lloj depresioni do të përjetojnë faza depresive që mund të zgjasin deri në vite, duke përfshirë faza humori normale gjatë kësaj periudhe. Këtu nuk ka sjellje të manisë.
  • Distimi: karakterizohet nga simptoma më të buta dhe më pak të dallueshme nga episodet depresive ose depresioni i përsëritur. Megjithatë, çrregullimi është i vazhdueshëm, me simptoma që zgjasin për një kohë të gjatë, të paktën 2 vjet, për fëmijët dhe adoleshentët të paktën një vit. Personat e tillë janë introvertë dhe të paaftë për tu kënaqur. Tregojnë një nivel të ulët të energjisë, vetvlersimin të ulët, ide suicidale, vështirësi në të ngrënë, fjetur dhe menduar.
  • Depresioni Bipolar 1: ky lloj depresioni ndodh në çrregullimin bipolar, i quajtur më parë çrregullim maniak – depresiv. Personi ka pasur një episod manikal por jo domosdoshmërisht, dhe të paktën një episod depresiv.
  • Depresioni Bipolar 2: ku personi ka pasur një episod depresiv madhor dhe të paktën një episod hipomanikal, por nuk i ka përmbushur kriteret e diagnositikimit për episodin maniakal ose të përzier. Këtë person familjarët mund ta ngatërrojnë me humorin ose gëzimin normal.
  • Depresioni përzier dhe ankth: megjithëse ankthi dhe simptomat psikologjike dhe somatike që e shoqërojnë janë karakteristika të zakonshme të depresionit, dhe simptomat depresive janë të shpeshta brenda çrregullimeve të ankthit, në përgjithësi është e lehtë të diagnostikosh nëse depresioni është problemi kryesor. Megjithatë, këtu ekziston një kombinim i ekuilibruar i simptomave të depresionit dhe ankthit.
  • Episodet depresive psikotike: është depresioni psikotik ose deluzional. Psikoza përfshin shikimin ose dëgjimin e gjërave që nuk janë aty (halucinacionet)ose që kanë ide ose besime joreale (deluzione). Njerëzit e prekur mund të zhvillojnë besime të rreme, të tilla si vendosja e fajit të rëndë mbi vetveten (deluzione vetëfajësuese), shkatërrimi financiar (deluzioni i varfërisë) ose sëmundja e pashërueshme e rëndë (hipokondri), pavarësisht nga të gjitha dëshmitë e kundërta. Njerëzit me depresion deluzional, pothuajse gjithmonë, kanë nevojë për kujdes shëndetësor spitalor. Episodet psikike mund të jenë të natyrës unipolare ose bipolare.
  • Depresioni atipik: karakterizohet nga një gjendje e mbindjeshme dhe e ndryshueshme humori, ushqyerje ose gjumi tepruar, si dhe përjetim i episodeve të panikut. Ky lloj i depresionit është i butë dhe mund të jetë i natyrës bipolare.
  • Çrregullimi sezonal depresiv: ka ngjashmëri me depresionin atipik dhe ndodh në mënyrë sezonale, gjatë ndryshimeve klimatike si vjeshta ose dimri. Zakonisht, kur përfundon faza e sezonit të depresionit, njerëzit rimarrin veten dhe normalizohen.
  • Çrregullimi i shkurtër periodik depresiv: një formë e depresionit që mund të kompromentojë funksionimin, prek kryesisht të rinjtë dhe karakterizohet nga periudha të shkurtra të humorit depresiv ose të përzier, që zakonisht zgjasin më pak se 2 javë.
  • Çrregullimi ciklotimik: është kronik gjithashtu dhe për vite me rradhë personi nuk ka faza hipomanikale ose depresive më të gjata se pak muaj. Këta persona do te punojnë me orë të gjata në punë pa u lodhur gjatë episodeve hipomanikale para se të bien në gjendje normale apo depresive.
  • Depresioni postpartium:  pas lindjes shumë nëna përjetojnë simptomat e depresionit, nuk janë në gjendje të përjetojnë kënaqësi apo të kujdesen për fëmijën.

Depresioni ka kure specifike me medikamente sipas llojit të depresionit dhe sipas perspektivës që ndjek psikoterapisti apo psikologu klinik.