Sindikalistët e Teatrit Kombëtar akuzojnë menaxhmentin për shantazh ndaj tyre

09.11.2016 14:24:54

Drejtuesit e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë thënë se po shantazhohen nga zyrtarët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këto deklarata sindikalistët i kanë thënë në një konferencë të jashtëzakonshme për media që është mbajtur sot në ambientet e Teatrit Kombëtar.

Kryetari i Shoqatës Sindikale Mehmet Breznica tha se sot është ftuar nga drejtori i Teatrit Agim Sopi dhe sipas tij është shantazhuar nga ai duke i thënë që të heshtin në lidhje me pakënaqësitë e shprehura nga sindikalistët lidhur me angazhimin e regjisorëve nga Maqedonia.

Breznica tha se Kosova nuk ka nevojë për regjisorë sllavë duke pasur aktorë dhe studentë të mjaftueshëm në Kosovë.

Për shantazhe dhe akuza nga menaxhmenti i Teatrit Kombëtar ka folur edhe nënkryetari i Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naim Berisha.

Ai tha se përveç se është ballafaquar me shantazhe është akuzuar edhe për mospjesëmarrje në audicionin e  “Unkosvkit”, e që në fakt  ai kishte marr pjesë në këtë audicion.

Në këtë konferencë Berisha ka shpalosur edhe  kërkesat e Sindikatës për rregullimin e çështjeve të punëtorëve të Teatrit Kombëtar.

Ai tha se në këtë Teatër ka punëtorë të cilët qe gjashtë vjet punojnë me kontrata mbi vepër.

Berisha paralajmëroi se shumë shpejt do të ngre padi në prokurorinë e Shtetit kundër drejtorit artistik në Teatrin Kombëtar Agon Miftari.

Siç tha Berisha, Miftari me anë të tendencave po ndikon tek regjisorët e Teatrit dhe kjo po ia pamundëson mos angazhimin  e tij  për më shumë se dy vjet.