Situata me COVID-19 në Zvicër, paralajmërohet mundësia që s’do të ketë më shtretër të lirë në kujdesin intensiv

25.10.2020 15:07:28

Martin Ackermann, kreu i Task Forcës Shkencore të COVID-19, që vepron në nivel federal, ka thënë se sipas skenarëve të task Forcës, vendet në njësitë e kujdesit intensiv do të jenë të mbushura komplet më së voni deri më 18 nëntor – nëse nuk do të ketë ndryshime thelbësore sa i përket rritjes së numrit të infeksioneve.

Task forca parashikon në mënyrë specifike tre skenarë sa i takon zënies së shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv: Skenarit i kaltër, i kuq dhe i verdhë. Në skenarin e kuq, pranimet në njësitë e kujdesit intensiv zhvillohen ashtu siç janë aktualisht, që do të thotë se sipas ritmit aktual, ato dyfishohen brenda shtatë ditësh.

Skenari blu supozon këtë rritje brenda 5 ditësh, ndërsa ai i verdhë, parasheh 10 ditë.

Nga kjo rezulton se në rastin më të keq njësitë e kujdesit intensiv do të jenë të mbushura më 5 nëntor ndërsa në rastin më të mirë, më 18 nëntor.

Në konferencën për shtyp, Martin Ackermann, kreu i Task Force të Shkencës, ka përdorur fjalë të qarta në këtë drejtim, përcjell albinfo.ch. I pyetur nëse masat aktuale ishin të pamjaftueshme, ai është përgjigjur: “Jo në këndvështrimin tonë, jo. As përafërsisht “.

Për këtë arsye, task forca ka hartuar një katalog të masave bazuar në raportin e saj aktual të menaxhimit.

Këto janë 10 masat që i kërkon ajo:

Puna online nga shtëpia (Home Office) për të gjithë punonjësit për të cilët kjo është e mundur.

Mbajtja e maskave nga të rinjtë dhe të rriturit në të gjitha hapësirat e brendshme dhe në ambientet e jashtme të mbipopulluara (tregje rrugësh, etj.).

Mbyllja e objekteve argëtuese dhe rekreative në hapësira të ngushta dhe të ajrosura dobët të brendshme ku kushtet mundësojnë transmetimin e koronavirusit midis njerëzve në kontakt të ngushtë.

Kufizimi i tubimeve private në më pak se 10 persona.

Kufizimi i tubimeve publike për më pak se 50 persona.

Kufizimi i orarit të hapjes së restoranteve dhe bareve, p.sh. në orën 21:00.

Ndërprerja e aktiviteteve me rrezik të lartë të përhapjes së koronavirusit, p.sh. sporte me kontakt të drejtpërdrejtë, këndim ose muzikë me instrumente frymore.

Kalim në arsim ekskluzivisht online në të gjitha institucionet e arsimit të mesëm dhe të lartë, ku një mësim i tillë është i mundur.

Rritja e numrit të qendrave të testmit për koronavirus dhe e numrit të gjurmuesve të kontakteve.

Testimet e rregullta të punonjësve në mjedise me rrezik të lartë.

Ackermann, pas numërimit të masave ka shtuar: “Ne rekomandojmë zbatimin e masave deri në mars ose prill të vitit 2021 në mënyrë që të shmanget “efekti yo-yo” (efekti i kthimit në gjendje të mëparshme.