S’ka korrupsion në EULEX, dëshmitari ndiqet penalisht

07.11.2016 11:37:22

Dëshmitari Flurim Asani do të ndiqet penalisht për dëshmi të rrejshme. Kështu ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës, pasi kanë ardhur në përfundim se janë mbyllur hetimet për korrupsion në EULEX

Pas hetimeve të gjata nga dy prokurorë, njëri i EULEX-it dhe tjetri vendor, është ardhur në përfundim se nuk ka pas korrupsion brenda misionit ndërkombëtar.

Hetimet kishin nisur pas një publikimi në media në vitin 2014 për pretendime të marrjes së ryshfetit në misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.

“Provat që janë mbledhur gjatë hetimeve dëshmojnë se ish-gjyqtari i EULEX-it Francesco FLORIT nuk ka kërkuar e as pranuar asnjë lloj ryshfeti, e as nuk ka marrë premtim për ryshfet nga të pandehurit në rastet “Shpërthimi në Bill Clinton” dhe “Baftiu – Vrasja e trefishtë”, nga familjet, apo avokatët e tyre”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Në kuadër të këtyre hetimeve penale nuk janë shqyrtuar bazat meritore të asnjë aktgjykimi të nxjerrë prej trupave të ndryshëm gjykues për rastet “Shpërthimi në Bill” dhe “Baftiu – Vrasja e trefishtë”. Këto hetime penale janë përqendruar vetëm në pretendimet për korrupsion. Provat dëshmojnë se ish-gjyqtari i EULEX-it nuk ka kryer asnjë vepër penale”.

KPK-ja bën të ditur se tashmë po dyshohet se dëshmitari Flurim Asani ka bërë kallëzime penale të rreme dhe pastaj ka dhënë informata të rreme për vepër penale. Këto dyshime tani janë raportuar tek Prokuroria Themelore e Prishtinës. /lajmi.net

Njoftimi i plotë:

Përfunduan hetimet mbi dyshimet për korrupsion në EULEX

Sot, më 7 nëntor 2016, PSRK-ja dorëzoi në Gjykatën Themelore të Prishtinës aktvendimin për pushimin e hetimeve në PSRK për rastin me numër PPS 24/2015. Kjo vjen si rezultat i hetimeve të gjata, të thukëta, dhe të paanshme të kryera nga një ekip prokurorial i përbërë prej një prokurori ndërkombëtar i EULEX-it dhe një prokurori vendor në PSRK.

Hetimet penale kishin të bënin me tre të pandehur të dyshuar për kryerjen e veprës penale dhënie e ryshfetit dhe një të pandehur i dyshuar për kryerjen e veprës penale marrje e ryshfetit.

Ky rast u bë i njohur për publikun në tetor 2014, pas një sërë artikujsh në shtyp për pretendime të korrupsionit brenda Misionit EULEX.

Provat që janë mbledhur gjatë hetimeve dëshmojnë se ish-gjyqtari i EULEX-it Francesco FLORIT nuk ka kërkuar e as pranuar asnjë lloj ryshfeti, e as nuk ka marrë premtim për ryshfet nga të pandehurit në rastet “Shpërthimi në Bill Clinton” dhe “Baftiu – Vrasja e trefishtë”, nga familjet, apo avokatët e tyre.

Në kuadër të këtyre hetimeve penale nuk janë shqyrtuar bazat meritore të asnjë aktgjykimi të nxjerrë prej trupave të ndryshëm gjykues për rastet “Shpërthimi në Bill” dhe “Baftiu – Vrasja e trefishtë”. Këto hetime penale janë përqendruar vetëm në pretendimet për korrupsion. Provat dëshmojnë se ish-gjyqtari i EULEX-it nuk ka kryer asnjë vepër penale.

Përkundrazi, provat kanë ngritur dyshime se Flurim ASANI ka bërë kallëzime penale të rreme dhe pastaj ka dhënë informata të rreme për vepër penale. Këto dyshime tani janë raportuar tek Prokuroria Themelore e Prishtinës.