Skandaloze: Mësuesi i dënuar për vrasje jep mësim në shkollë

08.03.2017 11:54:34

Një mësues i dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe pa diplomë jep mësim në shkollën 9-vjeçare të Sohodollit në Peshkopi. Ndërkohë që mësuesi me master dhe fitues në portalin e Ministrisë së Arsimit shkarkohet nga puna.

Drejtoria Arsimore e Peshkopisë si dhe drejtoria e shkollës nuk kanë verifikuar dosjen e tij dhe nuk i kanë kërkuar dëshminë e penalitetit.

Drejtori i shkollës, Sulejman Abdia pohon se nuk ia ka kërkuar dëshminë e penalitetit madje nuk e njihte rastin fare. Sipas tij, dosja e mësuesit ka ardhur nga Drejtoria Arsimore Peshkopi pa miratimin e tij.

Në redaksinë e emisionit Fiks Fare mbërrin një denoncim nga mësuesi Neki Hysa, i cili shprehet se e kanë hequr pa të drejtë edhe pse ka 32 vite punë në arsim, si dhe ka të gjithë dokumentacionin që i duhet një mësuesi.

Ai ka dalë i pari në portalin e ministrisë së Arsimit si dhe ka master. “Ne shkollën e Sohodollit janë emëruar mësues pa arsimin e lartë”, denoncoi mësuesi me përvojë 32 vjeçare në mësimdhënie.

Pas ankesës së mësuesit Neki Hysa, se në shkollën 9-vjeçare Sohodoll, Peshkopi, ka mësues pa arsimin përkatës, Fiks Fare kërkoi verifikimin e një tjetër elementi kyç në dosjen e mësuesve të kësaj shkolle, dëshmisë së penalitetit.

Në dosjet e mësuesve të kësaj shkolle, Fiks Fare zbuloi se mungonte dëshmia e penalitetit të mësuesit të fiskulturës, Endri Cena.

Sipas një dokumenti, mësuesi Endri Cena, është i dënuar me një vendim të formës së prere të gjykatës së Apelit të Tiranës ,me 3 vjet e gjysmë burg për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia dhe prodhimit e mbajtjes së armëve luftarake

Drejtori i shkollës: “Jam agronom, nuk kontrolloj dëshmitë e penalitetit”

Ai pohon se është në dijeni të këtij rasti dhe se mësuesi Cena nuk e ka diplomën e shkollës së lartë, por dosja e tij ka ardhur me emërim nga Drejtoria Arsimore.

Në dosjen e mësuesit Cena mungon dëshmia e penalitetit dhe gjendet edhe një vërtetim ku tregon se Endrit Cena është student part–time, por jo i diplomuar.

“Dëshminë e penalitetit nuk e ka as ky mësues dhe asnjë mësues tjetër, sepse nuk ua kam kërkuar unë”, shprehet drejtori Abdia.

Pyetjes së gazetares se çfarë diplome kishte vetë drejtori, ai pohon se në profesion është agronom dhe nuk ka asnjë master për mësuesi.

Në kohën që gazetarët flisnin me drejtorin Abdia, në drejtorinë e shkollës, në ambientet e shkollës paraqitet mësuesi i fizkulturës bashkë me të atin e tij.

Gazetarët tentojnë të intervistojnë mësuesin e fizkulturës, ai largohet nga shkolla, ndërsa i ati jo.

Ai debaton me gazetarët e Fiksit duke i kërcënuar.

Drejtoria Arsimore, Dibër: përgjegjësinë e ka drejtori i shkollës

Drejtori Drini Gjici pohon se menjëherë pas vënies në dijeni të rastit të mësuesit, ka thirrur drejtorin e shkollës dhe i kërkuar pezullimin e mësuesit Cena. Gjici tregon se nuk ka qenë në dijeni se Cena ka qenë i dënuar. Gjithsesi ai akuzon drejtorin Abdia për marrjen në punë të mësuesit Cena.