SKV: TË NDËSHKOHEN NGACMUESIT

06.04.2018 18:24:05

Lëvizja Studentore Studim, Kritikë, Veprim me anë të një komunikate për media kërkojnë që të ndëshkohen ngacmuesit seksualë në Universitetin e Prishtinës.

“Lëvizja jonë e trajton problemin e ngacmimeve seksuale si pasojë dhe shpërfaqje e vrazhdë e kulturës seksiste që ekziston tash e sa kohë, në Institucionet Publike edhe në Universitetin e Prishtinës gjithashtu”, thuhet në komunikatë.

Shkarkimi i Prorektores Teuta Pustina – Krasniqi në njërën anë, dhe në anën tjetër krijimi i një grupi punues në Universitetin e Prishtinës nga Këshilli Drejtues për të trajtuar çështjen e ngacmimeve seksuale, sipas SKV janë zhvillime të shpejta, përmes të cilave tentohet të tejkalohet një çështje tejet serioze dhe e rëndësishme e cila për vite me radhë ishte tabu.

“Për herë të parë, po pranohet hapur edhe nga organet e larta në UP – njëherë nga pozita e Prorektores e më pas edhe përmes Këshillit Drejtues – se fenomeni i ngacmimeve seksuale është i pranishëm, e aktual në fakultetet tona. Këto zhvillime të vonshme, janë të nevojshme, por gjithsesi janë rezultat i presionit të studentëve. Ky grup punues i UP-së, mund të jetë një fillim i trajtimit të kësaj dukurie, por jo fundi, e assesi përmbyllja”.

Hapat e propozuar nga SKV  për këtë dukuri janë:

Ndryshimi i Kodit të Etikës në Universitetin e Prishtinës, shprehimisht përfshirja e ngacmimeve seksuale dhe trajtimi i tyre si shpërdorim i detyrës zyrtare duke siguruar anonimitet të denoncuesve në dispozitat e tij.

Krijimi i Komisionit Hetues për hetimin e ngacmimeve seksuale, me pjesëmarrje të gjerë shoqërore ku do bëjnë pjesë edhe studentët të cilët janë dëshmuar në luftën për barazi.

Denoncimin publik i ngacmuesve seksual.

Literatura dhe tekstet seksiste të ndryshohen dhe të mos lejohet përfshirja e kësaj literature në syllabuset me të cilat planifikohet vijimi i studimeve nga të rinjtë në Kosovë.