Sot me 29 janar 2018, në Shkup Këshilli Shqiptar i Paqes në Maqedoni

29.01.2018 01:15:06

Nga Abdulla Mehmeti

Më këtë rast, disa personalitete shqiptarë nga Maqedonia do të nderohen me titullin ,,Ambasador i paqes”

* * *
UNIVERSAL PEACE FEDERATION
FEDERATA E PAQES UNIVERSALE

KËSHILLI SHQIPTAR I PAQES

Në emër të Federatës së Paqes Universale të Shqipërisë dhe Kosovës kemi kënaqësinë t’ju ftojmë për të marrë pjesë në punimet e aktivitetit për konstituimin e degës së Këshillit Shqiptar të Paqes në Maqedoni.

Aktiviteti do të mbahet më datë 29 Janar 2018 në Shkup – Maqedoni, në ambientet e restorantit ,,Bushi”, në orën 15.00.

Ky aktivitet organizohet mbi themelin e punës shumëvjeçare të Federatës së Paqes Universale dhe Këshillit Shqiptar të Paqes me synimin për të nxjerrë në pah vlerat dhe përgjegjësitë e shqiptarëve si popull i paqes në vendosjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan.

Qartësimi thelbësor i formave të ndryshme të mbetjeve të konflikteve historike, shpalosja e njohjes mbi paragjykimet e akumuluara përmes gërshetimit historik të kombeve dhe besimeve fetare të ndryshme në Ballkan dhe Evropë do të ndihmojë në kuptimin e qartë të rolit dhe misionit të shqiptarëve: “Shqiptarët – një Popull i Paqes, një Popull për Paqe në Ballkan”.

Sot shqiptarët vijnë nga shtete të ndryshme, prej besimeve fetare të ndryshme, prej të kaluarave të ndryshme social-ekonomike dhe tregojnë shenjat e plagëve të imponuara nga koha përmes vuajtjeve dhe dhimbjes. Prandaj, ata mbartin një urtësi të jashtëzakonshme të trupëzuar në përvojat e tyre kombëtare dhe vetjake.

Populli Shqiptar duhet të ngrihet në nivelin përfundimtar të Bartësve të Paqes në Ballkan. Përkushtimi ndaj paqes së vërtetë midis shqiptarëve do të thotë mbështetje për “Shqiptarët – Popull i Paqes”.

Parimet e Paqes të Federatës së Paqes Universale kanë gjetur natyrshëm vend në zemrat e shqiptarëve dhe tashmë ka ardhur koha që shqiptarët në Ballkan të bëhen një Komb “Ambasador për Paqe”.

Më 17 nëntor 2013 në Prizren u themelua Këshilli Shqiptar i Paqes me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga trevat shqiptare. Më 27 prill 2014, u krijua dega Këshillit Shqiptar të Paqes në Luginën e Preshevës për të vazhduar më pas me një aktivitet tjetër për Çamërinë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë më 14 qershor 2014. Në tetor të 2016 dega e Këshillit Shqiptar të Paqes u krijua edhe në Guci.

Të ftuar në këtë aktivitet për të mbështetur krijimin e Këshillit Shqiptar të Paqes në Maqedoni do të jenë personalitete të nderuara nga trevat shqiptare në Maqedoni, përfaqësues të lartë të Federatës së Paqes Universale në Shqipëri, Kosovë, Mali i Zi, Çamëri, Lugina e Preshevës, si dhe miq të nderuar nga Evropa.

Shpresojmë që do të gjeni mundësinë për të rezervuar nga koha juaj e çmuar për të qenë së bashku në konstituimin e Këshillit Shqiptar të Paqes në Maqedoni.

Bashkë – koordinatorët e Këshillit Shqiptar të Paqes
ALI LAÇEJ HYDAJET HYSENI

Fotografia e Abdulla Mehmeti