Spanja dëshiron të jetë pjesë e dialogut Kosovë – Serbi

06.06.2018 10:35:59

Spanja ka shprehu dëshirë të jetë e përfshirë në procesin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Siç mëson “blici” serb, Spanja ka shprehur kundërshtime për procesin e deritanishëm të dialogut pasi konsideron se nuk ka transparencës dhe palët nuk kanë arritur të përmbushen marrëveshjet që do normalizonin marrëdhëniet mes vendeve, transmeton lajmi.net.

Në këtë fazë të dialogut kanë kërkuar të përfshihen edhe disa vende të tjera të Vishegradit (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia), pasi thonë se nuk janë të lumtura me rrjedhën e bisedimeve. Gjithashtu siç shkruan kjo medie serbe, thuhet se në mbledhjen me anëtarët e departamentit të politikës së jashtme të BE-së, shtetet kanë kërkuar që faza e fundit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të rezultojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ankesa për negociatat kishin edhe shtetet e Quint-it, të cilat kanë kërkuar që palët, sa më shpejt të jetë e mundur, të nënshkruajnë marrëveshjen finale.

BE thotë se bisedimet do të vazhdojnë kur palët janë të gatshme, ndërsa nuk është dhënë asnjë datë për takimin e radhës.

“Bashkimi Evropian vepron si një lehtësues në bisedime. Është në dorën e palëve të bien dakord për përmbajtjen, shpejtësinë, hapat e ardhshëm, formatin dhe afatet kohore të bisedimeve. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me kryenegociatorët nga të dyja palët dhe do të vazhdojmë diskutimet tona në Bruksel sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe, ekipet teknike të dy shteteve ishte planifikuar që të takoheshin gjatë kësaj jave për të vazhduar bisedimet që pastaj do t’i hapnin rrugë një takimi ndërmjet dy presidentëve, Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq.