Specialja kundërshton lirimin e Veselit, Selimit dhe Krasniqit, thotë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara

01.12.2021 13:53:00

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një shkrese drejtuar gjykatës, ka kundërshtuar lirimin e Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nga paraburgimi, ku ndër të tjera ka thënë se Policia e Kosovës nuk mund të zbatojë në mënyrë efektive kushtet e propozuara.

Sipas shkresës së ZPS-së, thuhet se klima e krijuar mirë e ndërhyrjes në procesin gjyqësor në Kosovë, e dokumentuar në mënyrë gjithëpërfshirëse më parë, nuk është një kujtim i lashtë historik.

Kohët e fundit u shfaqën akuza se Agjencia Kosovare e Inteligjencës kishte dy agjentë të paraqitur si dëshmitarë për të dhënë dëshmi të fabrikuara që lidhnin kundërshtarët politikë të ish-presidentit Hashim Thaçi me organizatat terroriste”, thuhet në këtë shkresë.

Po ashtu, kjo Prokurori, në këtë shkresë ka bashkëngjitur edhe një fotografi të Abelard Tahirit, Shpend Maxhunit, Hashim Thaçit e Bedri Hamzës:

Tutje, thuhet se sjellja e liderëve të shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përfshirë deklaratat e Faton Klinakut këtë verë dhe krimet e supozuara se janë kryer nga Gucati dhe Haradinaj, po ashtu tregojnë qartë se kjo klimë vazhdon.

Sipas ZPS-së, dëshmitarët nuk kanë nevojë të lëndohen fizikisht për t’u frikësuar; edhe perspektiva e lirimit të të akuzuarve në Kosovë krijon frikë dhe pasiguri te dëshmitarët në këtë rast.

Prokuroria ka pretenduar se kushtet e propozuara nuk janë të mjaftueshme dhe edhe sikur të ishin, Policia e Kosovës (PK) nuk mund t’i zbatojë ato në mënyrë efektive dhe se vijimi i paraburgimit të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mbetet i nevojshëm.

“Parashtresat e Policisë së Kosovës për zbatimin e kushteve të lirimit për personat e nivelit të të akuzuarve janë zbuluese. PK mohon çdo përgjegjësi për dështimet e profilit të lartë në lidhje me Remzi Shalën, Sami Lushtakun dhe Sabit Gecin, duke injoruar pikën se këto incidente tregojnë se figurat e nivelit të lartë kanë fuqinë për të mposhtur kushtet në Kosovë (pavarësisht agjencisë që i zbaton ato)”, thuhet tutje në këtë shkresë.

Tutje, prokuroria ka pretenduar se ka edhe raste të mëparshme të ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të PK-së në rrjedhën e drejtësisë.

“Si për shembull kur ata përkohësisht bllokuan zyrtarët e EULEX-it nga arrestimi i shefit të policisë së atëhershme të PK-së në Prizren, Nexhmi Krasniqi për krime të supozuara, krimet e supozuara në një vend paraburgimi të akuzuar në këtë rast”, thuhet në këtë shkresë.

Ata kanë thënë se ekzistenca e gjykatës dhe ZPS-së bazohet në realitetin se të akuzuarit e profilit të lartë të UÇK-së, si ata të akuzuar në këtë rast nuk do të mund të kishin një gjykim në Kosovë pa penguar drejtësinë.

“Në bazë të pozitave dhe përgjegjësive të tyre gjatë dhe pas luftës në Kosovë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbeten me ndikim të jashtëzakonshëm. Lirimi i të akuzuarve në Kosovë është kërcënim ekzistencial për zhvillimin e drejtë dhe të shpejtë të kësaj çështjeje dhe kësaj gjykate”, thuhet në këtë shkresë, raporton “Betimi për Drejtësi”.