Sulme terroriste gjatë Pashkëve? Policia shton masat e sigurisë

14.04.2017 16:23:13

Pas njoftimit të ambasadës Amerikane në Tiranë për rrezik për sulme terroriste gjatë Pashkëve, vjen reagimi i Policisë.

Policia e Shtetit njofton se ka marrë masa shtesë për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve gjatë ditëve të Pashkëve.

Bëhet me dije se Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë me rastin e festës së Pashkëve.

Policia e shton thotë se ka hartuar një plan të veçantë masash për këtë qëllim.

Në këtë kuadër janë marrë në drejtim të rritjes së prezencës policore në territor, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në objektet fetare si dhe në ambientet ku do zhvillohet festa e Pashkëve.

Në drejtim të rritjes së sigurisë rrugore, duke shtuar patrullimet e Policisë Rrugore në akset nacionale dhe akset kryesore rurale.

Masa janë marrë edhe nga Policia Kufitare në burime njerëzore dhe infrastrukturore.

“Në këtë kuadër në porte, aeroport dhe në pikat e kalimit kufitar, janë shtuar sportelet me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të gjithë shtetasit vendas e të huaj që do të hyjnë apo dalin nëpërmjet pikave të kalimit porteve dhe aeroportit duke shmangur vonesat dhe radhët e gjata. Masa janë marrë edhe në drejtim të parandalimit të ngjarjeve me karakter terrorist”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Më tej, Policia e Shtetit uron të gjithë të krishterët, Gëzuar Pashkët dhe siguron ata dhe të gjithë qytetarët se ka kapacitete të mjaftueshme në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për të parandaluar dhe goditur veprimtarinë kriminale në çdo fushë që mund të shfaqet ajo.