Sulmohet me armë vetura e policit në veri të Mitrovicës

18.10.2016 10:31:48

Vetura kombi VW ngjyrë e kuqe dhe me targa BG-380-MB, pronë e policit të Kosovës, Bane Bozhoviq, është sulmuar me armë zjarri me ç’rast janë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk ka të lënduar në njerëz, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë pas mesnate, përkatësisht rreth orës 01:30 në rrugën ‘Lola Ribar’ në veri të Mitrovicës, derisa vetura ishte e parkuar.

Policia ka dalë në vendngjarje dhe është në kërkim të autorit apo autorëve të këtij incidenti, derisa motivi i sulmit nuk dihet.

Ndryshe, polici Bane Bozhoviq kishte pësuar lëndime edhe gjatë një sulmi tjetër me granatë ndaj policisë që kishte ndodhur katër muaj më parë në veri të Mitrovicës. /KP/