Takimi Varhelyi – Vuçiq dhe vizita e Von Cramon në Gjykatën Speciale/ BE me qasje të padrejtë ndaj Kosovës

22.07.2020 21:09:27

Gjithçka ndodhi brenda dy ditësh. Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi priti në takim presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq e në tavolinën mes tyre ishte një libër me titull “Kosovo i Metohije” dhe të nesërmen Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon vizitoi Gjykatën Speciale duke e lavdëruar punën e saj.

Bashkimi Evropian reagoi pas lajmeve për takimin e Varhelyi dhe Vuçiq ku shihej libri “Kosovo i Metohje”, duke u arsyetuar se takimi është zhvilluar në Zyrën e Përfaqësimit Diplomatik të Serbisë dhe sipas protokollit të tyre.

Mirëpo, takimi i shoqëruar me pogaçe serbe dhe me një libër me titull ofendues për Kosovën në sfond – nuk kaloi në heshtje, kjo sepse për protokollet e nivelit të këtyre takimeve, dakordohen të dy palët pjesëmarrëse.

E menjëherë të nesërmen, eurodeputetja dhe njëkohësisht Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon vizitoi Gjykatën Speciale duke thënë se atje po bëhet punë e jashtëzakonshme, pikërisht në kohën kur kjo Gjykatë po akuzohet në opinion për shkelje të ligjit me publikime të aktakuzave të pakonfirmuara e po vlerësohet si raciste e një-etnike në trajtimin e çështjeve të drejtësisë.

“Mësova shumë për punën e tyre të jashtëzakonshme. Si pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, e zhvendosur në Hagë, gjykata duhet të vazhdojë punën atje, për të siguruar procedurë të paanshme dhe të sigurt për të gjithë, përfshirë edhe viktimat dhe dëshmitarët”, tha Viola von Cramon.

E lidhur me këtë, është rihapur debati lidhur me qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Një pjesë e skenës politike janë mjaftë kritik ndaj BE-së për mos-liberalizim të vizave dhe mostrajtim të barabartë në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

Eksperti i politikave ndërkombëtare, Avni Mazreku për lajmi.net duke komentuar dy veprimet e fundit të zyrtarëve të Bashkimit Evropian thotë se mund të vërehet lehtësisht një qasje jo e drejtë karshi Kosovës.

Ai duke komentuar takimin Varhelyi – Vuçiq shprehet se arsyetimi për protokollin nuk vlen pasi i njëjti vendoset nga të dy palët dhe jo nga njëra palë, e së këndejmi pohon se kjo nënkupton që BE nuk është reaguese ndaj emërtimit “Kosovo i Metohije” e që është ofendues ndaj Kosovës.

“Definitivisht mundemi me e kuptua qasjen në fakt vetëkuptohet një qasje jo e drejtë e mekanizmave të Bashkimit Evropian karshi Kosovës edhe në aspekte protokollare. Nga qëndrimi zyrtar i Komisionit Evropian që në fakt takimi është organizuar në Zyrën e Përfaqësimeve Diplomatike të Serbisë dhe ata nuk kanë pasur rol në protokolin e organizuar të këtij takimi, kjo nuk është arsyetim i justifikuar sepse sa i përket aspekteve protokollare gjithmonë paracaktohen nga palët të cilat marrin pjesë në takim, do të thotë të dy palët kanë rol në përcaktimin e protokollit dhe në këtë rast në këtë takim ka qenë libri me emrin “Kosovë e Metohi” dhe kjo nënkupton se ata nuk janë reagues ndaj një emërtimi të tillë që ofendon Kosovën dhe gjithashtu nënkupton gjithë dhunën, gjenocidin, spastrimin etnik që ka ndodhur në Kosovë dhe nuk është e pranueshme”, tha Mazreku për lajmi.net.

Më tutje, Mazreku shpjegon se Bashkimi Evropian, respektivisht Varhelyi mund të refuzonte pjesëmarrjen në këtë takim dhe do të duhej të ndodhte një gjë e tillë.

Mazreku shprehet gjithashtu se kemi raste kur Spanja ka refuzuar pjesëmarrjen në takime ku Kosova është përfaqësuar me flamurin e vet e që përfaqëson sovranitetin dhe integritetin e vendit.

“Protokollet përcaktohen nga të dy palët dhe nëse një zyrtar i Kosovës merr pjesë në një takim, ai njoftohet më herët dhe nëse ka diçka kundër atyre rregullave protokollare mund të reagojë, sa për ilustrim, Spanja nuk ka marrë pjesë në shumë takime të organizuara nga BE ku në ato takime është ekspozuar flamuri i Kosovës, pra ka qenë kundër simbolikës që e tregon sovranitetin e Kosovës, pra nëse BE do të kishte diçka kundër asaj çka ka në konotacion të vetvetes termi “Kosovë e Metohi”, do të duhej të refuzonin pjesëmarrjen në një takim të tillë dhe arsyetimi i dhënë nuk e arsyeton pjesëmarrjen e një zyrtari të BE-së në atë takim.”, tha Mazreku.

Vizita e Viola Von Cramon në Gjykatën Speciale ka ngjallur reagime dhe dyshime lidhur me një ndikim të mundshëm politik të Bashkimit Evropian në punën e Gjykatës Speciale.

Duke komentuar këtë, Mazreku thotë se shpjegimi lidhur me këtë vizitë i takon ta bëjë vet eurodeputetja dhe të eviton çdo mundësi dyshimi për ndikimin eventual të saj.

“Sa i përket eurodeputetës Von Cramon dhe vizitës së saj në Gjykatën Speciale nuk mund të them nëse ajo ka patur elemente siç është raportuar tendencioze për të ndikuar në punën e Speciales për shkakun se nuk e njoh dhe nuk e di saktë atë çfarë ka ndodhur në atë vizitë, por duke marrë parasysh se ajo është diplomate e rangut të lartë, në këtë rast deputete e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën, ajo do të duhej të jepte një shpjegim më ekskluziv për vizitën e saj dhe kështu të evitonte çdo mundësi dyshimi për ndikim eventual të saj”, tha Mazreku për lajmi.net.

Në fund, Mazreku shprehet gjithashtu se edhe Dhomat e Specializuara duhet të japin më shumë dhe të jenë më transparente për publikun lidhur me zhvillimet atje, pasi puna e tyre dhe krijimi i tyre është në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Përveç saj, gjithashtu i takon zyrtarëve të Dhomave të Specializuara për hir të opinionit që të informojë publikun për këto zhvillime sepse Dhomat e Specializuara janë të krijuara në bazë të ligjeve të Kosovës, ato do të duhet të jenë shumë më transparente për opinionin publik lidhur me këto zhvillime sepse deri më tani nuk ka pasur transparencë të duhur lidhur me punën e tyre.”, tha Mazreku.

E lidhur me vizitën e Von Cramon në Gjykatën Speciale, ka reaguar edhe zv.avokatja e Popullit Edona Hajrullahu e cila e ka cilësuar  si përpjekje për interferim në organet e drejtësisë.

“Standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e përmes tyre edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksojnë rëndësinë e një procesi të rregullt gjyqësor. Konkretisht, neni 6 i Konventës specifikon të drejtën për një proces të rregullt, e i cili nënkupton që organet që administrojnë drejtësinë duhet të jenë të pavarura dhe të paanashme në veprimet dhe vendimmarrjen e tyre. Çdo interferim, ndikim i drejtpërdrejtë apo edhe i tërthortë, e sidomos i natyrës politike, mund të cënojë të drejtat themelore të njeriut, dhe njëherësh të dëmtojë besueshmërinë e institucioneve të thirrura për të vënë drejtësinë në vend. Mbetet e një rëndësie jetike që puna e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të jenë plotesisht të pavarur, dhe të garantojnë në çdo hap të drejtat themelore të çdo të dyshuari apo edhe të akuzuari, duke siguruar me patjetër parimin e prezumimit te pafajësisë si dhe të barazisë para ligjit, deri në pëmbylljen e procesit.”, thuhet në reagimin e saj.

E në anën tjetër Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehen se Von Cramon ka humbur paanshmërinë, korrektësinë dhe ekuilibrin politik.

Hysni Gucati, kryetar i kësaj organizate është shprehur se OVL e UÇK-së kërkon nga BE që Von Cramon t’i hiqet funksioni i raportueses për Kosovën.

“Si Organizatë e Veteranëve të luftës së UÇK-së ju bëjmë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian që vlerat demokratike dhe standardet evropiane të demokracisë, të cilat i promovojnë që gjysmë shekulli t’i zbatojnë edhe për parlamentarët e tyre. Duke shfrytëzuar pozicionin e saj në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Viola von Cramon në vazhdimësi është munduar ta riformatizojë skenën politike në Kosovë me ndërhyrje të favorizimeve të paprecedentë politik e juridik. Kërkojmë nga Parlamenti Evropian shkarkimin e zonjës Cramon për shkak se është e njëanshme, minimalisht t’i hiqet funksioni i raportueses për Kosovën”, tha ai.

Deri më tani, nuk ka pasur asnjë sqarim të BE-së e as të Von Cramon lidhur me këtë vizitë të sajën në Gjykatën Speciale