Të gjitha vendimet që mori sot Qeveria Kurti

27.10.2021 14:32:40

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 42-të me radhë, ku ka miratuar tri projektligje dhe vendime tjera të përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në fillim të kësaj mbledhke, kryeministri Albin Kurti ka folur për ngritjen e çmimeve të produkteve esenciale si pasojë e pandemisë COVID-19.

“Pasojat e pandemisë Covid-19 në ekonominë globale, po e afektojnë edhe Kosovën, duke ndikuar në ngritjen e çmimeve të shumë produkteve esenciale. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, që është burim i energjisë së produkteve industriale, nxiti edhe ngritjen e çmimit të vajit, sheqerit, drithërave, mishit dhe produkteve të qumështit. Si një vend importues, Kosova nuk kishte si të përbënte përjashtim. Përkundrazi, ne varemi nga importet e përditshme, e bashkë me importet, rrjedhimisht importojmë edhe inflacionin”, tha Kurti.

Kryeministri shtoi se konsumi në Kosovë zë një komponentë të rëndësishme të importit.

“Ushqimi dhe pijet kryesisht për konsum të ekonomive familjare, përfaqësojnë një pjesë të konsiderueshme të importeve totale të mallrave të konsumit .Statistikat e Bankës Botërore për ndërmarrjet prodhuese tregojnë se rreth 78.5% të kompanive prodhuese në Kosovë përdorin materiale, inpute ose furnizime të tjera, që janë me origjinë të huaj dhe mesatarisht 47.4% e inputeve totale janë të huaja, pra të importuara. Ky është mesazh i qartë i domosdoshmërisë për ri-orientim të ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit dhe drejt një zhvillimi të qëndrueshëm”, tha Kurti.

Kryeministri ka përmbyllur fjalën e tij duke u bërë apel qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe durimin, sepse siç ka thënë, nga sot Qeveria ka nisur të punojë për një pako masash që do t’i ndihmojnë të tejkalojnë më lehtë vështirësitë financiare të krijuara nga situata me pandeminë.

Më tej gjatë kësaj mbledhje me propozimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Qeveria ka miratuar dy vendime për themelimin e Komisionit për vlerësimin dhe studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë; dhe Komisionit për përgatitjen e para llogarisë dhe planit ideor për zbatimin e rehabilitimit të zonës tampon të Hanit të Elezit ndërmjet dy objekteve kufitare të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.