Vjosa Osmani pritet të përfundojë në Kushtetuese, Daka çon te Avokati i Popullit shkarkimin e saj

27.10.2021 14:17:39

Ish-kryetarja e KQZ-së ka dërguar kërkesë tek Avokati i Popullit që ta shqyrtojë vendimin e Presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e saj nga pozita e kryetares.

Në një prononcim para mediave, Daka ka thënë se i mbetet Avokatit të Popullit ta shqyrtojë kërkesën e saj.

“Ashtu siç e kam paralajmëruar mbrëmë, sot e dorëzova kërkesën time tek Avokati i Popullit dhe shpresoj që Avokati i Popullit ta shfrytëzojë pozitën e tij për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin tim. Avokati i Popullit është institucion i pavarur bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe e ka të drejtën që kërkesat t’i shqyrtojë dhe t’i dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Pas publikimit të raporteve evropiane, besoj që edhe Avokati i Popullit do ta shqyrtojë kërkesën time dhe ka arsye të mjaftueshme e bazë ligjore që të njëjtën ta dërgojë në Kushtetuese”, ka thënë Daka.

Ajo ka thënë se ka pritur deri tash që ta dërgojë kërkesën tek Avokati i Popullit pasi që ka qenë fushata zgjedhore dhe deri më tani deputetët nuk e kanë pasur vullnetin ta dërgojnë çështjen e saj në Kushtetuese.

“Unë kam pritur deri tash pasi që kam konsideruar që deputetët që e kanë këtë të drejtë kushtetuese do t’i mbledhin nënshkrimet dhe në kuadër të detyrave të tyre si deputet do ta kërkojnë vlerësimin e kushtetueshmërisë të vendimit të presidentes Osmani, por meqenëse se deputetët si duket nuk kanë pasur shumë gatishmëri dhe ka qenë fushatë zgjedhore Nuk kam dashur që kërkesa ime të shfrytëzohet nga askush dhe askush të mos marrë pronësinë e kërkesës sime, andaj kam pritur të kryhet fushata zgjedhore dhe këtë mundësi ta shfrytëzoj përmes Avokatit të Popullit, meqenëse Kushtetuta nuk parasheh mundësi që unë drejtëpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Daka.

Daka ka thënë para mediave se nuk e di arsyen kryesore për shkarkimin e saj, por ka thënë se është diskutuar mjaft rreth kësaj çështje.

Daka ka thënë para mediave se nuk e di arsyen kryesore për shkarkimin e saj, por ka thënë se është diskutuar mjaft rreth kësaj çështje.

“Unë nuk e di tash është diskutuar shumë mbi këtë çështje dhe arsyen e shkarkimit tim. Unë jam akuzuar për shembull se kam lejuar qytetarët të votojnë me dokumente të skaduara, gjë që nuk është e vërtetë pasi që unë kam qenë e vetmja që kam votuar kundër këtij vendimi. Pastaj, jam akuzuar edhe për mos respektim të votave nga diaspora ose se kam trajtuar diasporën si qytetarë të rendit të dytë, gjë që nuk qëndron. Ka pasur mjaft akuza të pavërteta ndaj meje..”, ka thënë Daka.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme presidentja Vjosa Osmani ka thënë se shkarkimi i Valdete Dakës ka qenë në përputhje me ligjin.