Nënkryetarja e Parlamentit Evropain, njëherësh raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunaçek ka qenë e shkurtër në deklaratën e saj para gazetarëve pas takimit që ajo bashkë me komisionarin Johannes Hahn ka pasur me krerët politikë në vend.
Nuk ka pranuar të flasë për arritje të ndonjë marrëveshje mes palëve, por ka folur se çka është e rëndësishme nga takimi i sotëm.
“Ishte një diskutim shumë i mirë. Mendoj se është e rëndësishme që të kemi debat me njerëz që nuk pajtohen gjithmonë për çështje të njëjta. Çfarë më pëlqeu më së shumti është se të gjithë u pajtuan se është tejet e rëndësishme për Kosovën që të ecë në rrugën e integrimit evropian”, ka thënë ajo, teksa është larguar për një takim me shoqërinë civile në Kosovë.
Pas takimi, liderët e dy partive më të mëdha në vend, Kadri Veseli i PDK-së dhe Isa Mustafa i LDK-së nuk janë prononcuar për media, raporton lajmi.net.
Ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se kanë biseduar gjerë e gjatë për të gjitha zhvillimet në vend, duke përfshirë çështjen e demarkacionit, liberalizimin e vizave, etj, shkruan lajmi.net.
Në anën tjetër, lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se ka folur në takim me Hahn edhe për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, por tha se nuk ka marrë ndonjë qëndrim nga ai për këtë rast përveç shprehjes së ngushëllimeve.
Ai tha se Vetëvendosje i ka bërë të ditura sërish qëndrimet se janë kundër demarkacionit në formën aktuale me Malin e Zi.





































