Të hetohen burimet e fondeve të OJQ-ve dhe lidhjet e tyre me agjentura edhe kundërshqiptare

28.05.2018 18:38:42

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë është pohuar se OJQ-të kanë keqpërdorë fonde, me çka po pranohet se ato kanë pasur financime të shumta për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, e cila në Kosovë ka qenë dhe ka mbetur veprimtari të dyshimtë dhe në dëm të demokracisë dhe të zhvillimimeve të tjera në Kosovë.

Këto OJQ që formalisht proklamonin punë dhe shërbime në funksion të demokracisë dhe të çështjeve të tilla si trajtimi i grave, trajtimi i pasojave të luftës etj., në fakt, shërbenin për rekrutimin e ijdividëve që familjarët e tyre, ose vetë ata kanë qenë të njohur për marrëdhëine të afërta me regjimin e Beogradit, e të cilit kishin vullnetin për angazhime në drejtim të cenimit të ndjenjave kombëtare, përkatësisht të kryenin veprime që nuk mund të bënin të tjerë që në aspektin kombëtar ishin njerëz më stabilë.

Edhe personalitete të tjera që për arsye të shumta nuk çanin kokën për pasojat e veprimeve të tyre, duke pranuar të bëjnë gjithçka që u kërkohet, pavarësisht me mund të mos kishin ndonjë marrëdhënie të afërt me regjimin e Beogradit.

Nëse hidhet një vështrim i përciptë mbi shumicën e OJQ-ve, do të kuptohen lehtë lidhjet e tyre me politikën dhe me mediet, pasi që drejtues dhe pjesëtarë të tyre do të barten në medie e pastaj në politikë, apo edhe drejtpërdrejt në politikë.

Këto OJQ financoheshin për prodhimin e individëve të tillë, përkatësisht të qenit në këto OJQ, shërbente si periudhë testimi, trajnimi dhe parapërgatitje për të kaluar në politikë.

Në debate të ndryshme televizive janë të rregullt përfaqësues të OJQ-ve, e të cilët pas një krijimi të një perceptimi publik për ta, parashutoheshin në politikë. Shumica e atyre që quhen gjeneratë e re, në fakt kanë qenë dhe janë ish-ojq-istë dhe të ashtuquajtur analistë politikë, e të cilët me shumicë janë parashutuar në LDK, një pjesë në VV e të tjerë edhe në ndonjë parti tjetër.

Prandaj, është e tepërt dhe jo e drejtë që të thuhet se OJQ-të kanë përdorur keq fondet e ndryshme, por ajo që vlen të thuhet dhe të bëhet është që të hetohen burimet e fondeve të tyre, veprimtaria e tyre dhe lidhjet me agjentura dhe shërbime të ndryshme edhe kundërshqiptare.

Vetëm atëherë do të kuptohet se fondet e derdhura në këto OJQ kanë bërë punë, pasi që shumica e tyre janë dhënë pikërisht për veprimtari konspirative dhe për të realizuar qëllime të agjenturave të ndryshme.

Pra, ato kanë kryer punë për çka janë lëvruar, por, po e përsëris, duhet të hetohen nga kanë ardhur, kush i ka marr dhe për çka, e pastaj do të shihet se politika jonë, mediet dhe e ashtuquajtura shoqëri civile është e mbushur përplot me rekrutë agjenturash edhe kundërshqiptare.