Tërmeti/ Banori i Durrësit: Na kanë vënë shiritin, por ende askush s’e ka parë pallatin!

03.12.2019 14:54:16

Banorët e Durrësit të prekur nga tërmeti shkatërrues i një jave më parë vijojnë të jenë të shqetësuar.

Një banor i qytetit bregdetar deklaron se ndonëse në pallatin e tij është vendosur shirti bllokues ende s’kanë shkuar në terren grupe inspektimi për kontrollin e godinës.

Sikundër edhe banorët e tjera, edhe ai që nga e marta e javës së kaluar nuk ka hyrë më në shtëpi dhe është në pritje prej ditësh tashmë për të marrë një përgjigje për pallatin.

“Të vinë të na thonë, që dhe ne ta dimë ça do bëhet me pallatin tonë. I kemi të gjitha gjërat sipër. Nëse nuk bëhet më pallati, të paktën të marrim gjërat se kemi punuar një jetë të tërë. Nëse riparohet aq më mirë”,- thotë banori i rrugës “Aleksandër Goga” për median lokale “DurrësiLajm”.

Kujtojmë që pas tërmetit që la 51 të vdekur, në terren po operojnë dhjetëra grupe ekspertësh dhe inxhinierë, mes të cilëve shumë të huaj.