The guardian: Kosova është shteti i 51 i Amerikës

16.02.2018 16:39:49

Skena ka përfunduar në Bulevardin Nënë Tereza të Prishtinës, të gjithë janë të gatshëm për koncertin e këngëtares britanike Rita Ora të lindur në Kosovë dhe personalitetet ndërkombëtare po fillojnë të mbërrijnë, kështu nis shkrimi i gazetës britanike “The Guardian”.

E përditshmja britanike në një artikull të publikuar sot ka shkruar për lidhjet e ngushta të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes disa fotografive prestigjiozja britanike ka përmendur sheshet, rrugët dhe emrat që kanë vendosur kosovarët për nder të Amerikës.

“Në vitet ’90 presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, përfundonte konferencat e të premteve me fjalët: ‘Zoti e bekoftë Amerikën dhe miqtë tanë perëndimor’. Kjo frazë u ngulit në mendjen e shqiptarëve dhe u bë edhe më e fuqishme kur Bill Clintoni urdhëroi NATO-n që të bombardonte caqet serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999”, shkruan “The Guardian”, transmeton Indeksonline.

“The Guardian” sot shkruan se, është e vështirë të gjesh gjurmë të luftës dhe se një gjeneratë tashmë është rritur në ambient paqe dhe stabilitet.

“Por emocioni pro-amerikan është ende prezent”, shkruan ajo.

“Njëra prej rrugëve kryesore të Prishtinës quhet Bulevardi Bill Klinton, për presidentin amerikan. Një tjetër rrugë, shkollë dhe qendër sportive mbajnë emrin e ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright”, shkruan ajo.

“Çdo 4 korrik, dita e pavarësisë në SHBA, zjarrfikësit në Prishtinë pastrojnë statujën e Bill Klintonit në një shesh qendror dhe zëvendësojnë flamurin amerikan që valvitet aty pranë. Ceremonia organizohet nga Shoqata e Miqve të Amerikës në Kosovë dhe në të marrin pjesë zyrtarë publikë dhe ushtarakë dhe përfaqësues të ambasadës amerikane. Ekziston edhe një turne vjetor për basketbollin e fëmijëve të quajtur Thank You USA për të shënuar Ditën e Pavarësisë”, shkruan në fund “The Guardian”.