Theresa May: Ndalesa e Trumpit, “përçarëse dhe e gabuar”

01.02.2017 16:29:34

Ndalesa e Trumpit për hyrje në SHBA të qytetarëve të shtatë vendeve me shumicë muslimane për 90 ditë dhe refugjatët për 120 ditë, shkaktoi protesta në Britani të Madhe, por edhe thirrje që të pamundësohet vizita e presidentit të ri amerikan në Londër, e cila planifikohet për në fund të këtij muaji.

Gjatë qëndrimit për vizitë zyrtare në Turqi, May në pyetjen për ndalimin e Trumpit tha se “SHBA-të janë përgjegjëse për politikën e SHBA-ve për refugjatët”.

Por, të mërkurën kryeministrja britanike para deputetëve të Dhomës së Ulët tha se “Kjo qeveri është e qartë në vlerësimin se politika e tillë është e gabuar. Nuk do të bëjmë një gjë të tillë. Besojmë se është përçarëse dhe e gabuar”.