Tirana dhe Prishtina notë proteste Shkupit, kërkohet zbardhja e aktit vandal ndaj Shtëpisë së Alfabetit

24.11.2016 09:42:20

Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Shkup, nëpërmjet një reagimi, notë proteste drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë, kanë kërkuar ndërmarrjen e masave adekuate për kapjen e huliganëve maqedonas, të cilët të martën kishin thyer xhamat e shtëpisë së Alfabetit në Manastir, ndërsa me grafite të shumta kishin kërkuar “vrasjen e shqiptarëve”.

“Ju lutemi që të na sqaroni incidentin e përdhunimit të Memorialit të Kongresit të Manastirit ditën e martë, kur edhe shënohej kjo datë me rëndësi për Alfabetin e gjuhës shqipe.

Pasi ky është incident i përsëritur vite me radhë, kërkojmë që të merren masa adekuate për mospërsëritje të tillë dhe të gjinden autorët e këtij incidenti në panevojshëm”, thuhet në reagimin e dy ambasadave në Shkup drejtuar MPJ-së.

Persona të paidentifikuar, sikurse viteve tjera, kanë gjuajtur gurë dhe mjete tjera, me çka kanë thyer xhamat e derës hyrëse të objektit, si dhe kanë vënë mbishkrimi fyese për shqiptarët. “Vdekje për shqiptarët” ka qenë “parrulla”e radhës e ngjitur në derën e Kongresit të Manastirit.

Ky incident i ka bërë hije festës kombëtare, duke u dënuar nga shqiptarët e Manastirit, por edhe më gjerë.

Ministria e Brendshme ka theksuar se po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e këtij incidenti, por duke mos dhënë detaje.

Më poshtë, reagimin i plotë të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë:

“Ju lutemi që të na sqaroni incidentin e dhunimit të Memorialit të Kongresit të Manastirit ditën e marte kur edhe shënohej kjo datë me rëndësi për alfabetin e gjuhës shqipe.

Pasi ky është incident i përseritur vite me radhë, kërkojmë që të merren masa adekuate për mospërseritje të tillë dhe të gjinden autorët e këtij incidenti në panevojshëm”.