“Top Dhjetëshja” e shqiptarëve të famshëm, nga Skënderbeu deri te Era Istrefi!

12.09.2016 19:46:30

Papa Françesku ka shpallur ditë më parë të shenjtë Nënë Terezën. Por Nënë Tereza nuk është assesi e vetmja shqiptare e njohur, ose që ka lënë emër të madh në botë, shkruan blick.ch. Dhe, për të mbështetur këtë në fakte, portali bashkë me gazetën (Blick am Abend) ka radhitur dhjetë shqiptarë tjerë të njohur, duke filluar me Skënderbeun. Në fund ajo ka sjellë edhe futbollistët me rrënjë shqiptare që luajnë për përfaqësuesen e Zvicrës, duke filluar me Xhakën…

Por, të shkojmë me radhë. I pari është Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Për ta përmbledhur me pak fjalë gazeta shkruan se princi Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbeu është hero kombëtar i shqiptarëve. Ai ka qenë njëri ndër mbrojtësit më të mëdhenj të Evropës së krishterë nga Perandoria Osmane në shekullin 15. Këtë titull ai e ka marrë zyrtarisht nga Papa Kalixt III. Pa rezistencën e Skënderbeut, Evropa e mesjetës do të dukej sigurisht shumë më ndryshe”, përfundon përshkrimi.

Pak e habitshme por sidoqoftë pa të keq, është radhitja menjëherë pas Skënderbeut e vëllezërve Gjon (John) dhe Gjejms (James) Belushi në mesin e shqiptarëve me famë botërore. Ata janë bij të emigrantëve shqiptarë në Wheaton, Ilinois SHBA. Gjoni, më i vjetri, ka qenë i njohur për rolin e tij të famshëm në filmin “The Blues Brothers”, emër ky që e ka mbajtur edhe bendi që ai e ka udhëhequr. Gjon Belushi ka vdekur në vitin 1982 si pasojë e mbidozës së drogës. Ndërkaq Gjejms, i cili jetpn dhe është aktiv në kinematografi, vetë e ka proklamuar prejardhjen e tij shqiptare dhe ka qenë disa herë në Shqipëri.

Emrat që vijnë në vijim të “top dhjetëshes” së shqiptarëve të njohur janë kryesisht të njohur nga aktualiteti: Vjen pra Rita Ora, në vendin e tretë, pastaj reperi Action Bronson, (Arian Asllani), këngëtarja Era Istrefi, këngëtarja dhe tekstshkruesja e njohur nga SHBA, Bebe Rexha, valltari Toni Dovolani, aktorja Eliza Dushku, këngëtari shqiptarozviceran Patrick Nuo dhe në fund, në vend të “qershisë në majë të tortës”, Granit Xhaka me yjet tjerë shqiptarë të futbollit zviceran.