“Transparency International”/ Shqipëria më e korruptuara në rajon, e treta në Evropë. Deputetët, kryesojnë “garën”

17.11.2016 11:55:12

Raporti arrin në përfundimin se, Shqipëria ka normën e tretë më të lartë të ryshfetit në Evropë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën

“Transparency International”  ka publikuar raportin për korrupsionin të realizuar nga bisedat me 60 mijë qytetarë në 42 shtete të Evropës dhe Azisë Qendrore, ku përfshihen edhe Shqipëria e Kosova. Raporti mbi eksperiencat e qytetarëve me korrupsionin mat perceptimin që ata kanë për fenomenin në vendet e tyre dhe përfshihet në Barometrin Global të Korrupsionit për vitin 2016. Sipas raportit një në 3 persona që jetojnë në rajonet e Evropës dhe deri në Azinë Qendrore, e konsiderojnë korrupsionin si problemin më të madh, me të cilin përballën vendet e tyre. Raporti ishte i titulluar “Njerëzit dhe korrupsioni”.

Shqipëri deputetët më të korruptuar

Në Shqipëri, nga data 30 janar deri më 2 mars 2016, “TI” intervistoi 1.500 persona mbi eksperiencat e tyre me korrupsionin në shërbimet publike, në sektorët kyç si Policia Rrugore, lëshimi i dokumenteve, gjykatat, arsimi, shëndetësia, etj., gjatë 12 muajve të fundit. Ndërsa në 5 pyetjet lidhur me perceptimin e nivelit të korrupsionit në institucione, shqiptarët e pyetur janë përgjigjur se besojnë që deputetët janë shumë të korruptuar dhe se kanë dhënë ryshfet në të paktën një prej shërbimeve publike që kanë përdorur 12 muajt e fundi. Shkalla e perceptimit ndaj korrupsionit, si problemi më i madh i shoqërisë dhe asaj sesi po e lufton qeveria korrupsionin është mesatar për Shqipërinë, e cila është më lart edhe se disa vende të Bashkimit Evropian.
Barometri Global i Korrupsionit i pyeti qytetarët nëse kanë dhënë parà nën dorë apo dhurata gjatë shfrytëzimit të një shërbimi të caktuar, e për Shqipërinë, shkalla e mitmarrjes rezultoi në 34%. Kosova me 10%, gjë është vlerësuar nga raporti si më e ulëti në rajon.  Raporti arrin në përfundimin se, Shqipëria ka normën e tretë më të lartë të ryshfetit në Evropë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën. Në vendin tonë, kjo normë fiksohet pranë 34%. Sipas të dhënave në vendet e tjera të rajonit kjo normë është deri në tre herë më e ulët mesatarisht, çka e bën Shqipërinë dhe administratën publike në  vend, më të korruptuarën në rajon. Diferenca me vendet e tjera të rajonit dhe me pjesën tjetër të Evropës vihet re mjaft mirë edhe nga ngjyra e ndezur në hartë. Raporti tregon kështu se një në tre shqiptarë paguan ryshfet për të marrë një shërbim publik. Nga ana tjetër, shqiptarët së bashku me qytetarët e Ukrainës, Bosnje Hercegovinës dhe Rumanisë mendojnë se anëtarët e parlamentit janë shumë të korruptuar. Në vendin tonë, më shumë se gjysma e qytetarëve pohojnë diçka të tillë. Anketimi i Transperency International është bërë mes datave 30 janar 2016 dhe 2 mars 2016. Organizata ndërkohë është ndër më prestigjiozet në nivel global sa i përket raporteve që tregojnë nivelin e korrupsionit dhe perceptimin e fenomenit në një vende të caktuar.

Vendet e BE-së

Ndërsa në vendet e BE-së, më i lartë ishte në Hungari, Rumani dhe Lituani, me nga 22% deri 29%. Për të gjithë vendet e përfshira në anketim, “Transparency International” jep 4 rekomandime kyç: të reduktojnë korrupsionin politik dhe të ndihmojnë njerëzit që të denoncojnë pa frikë. Qeveritë sigurojnë pavarësinë e Gjyqësorit, sidomos në vendet që janë në bisedime për anëtarësim në BE, duke reduktuar ndikimin e Ekzekutivit mbi sistemin e drejtësisë, si dhe të mbështëse e të mbrojë raportuesit e korrupsionit. Në këtë studim organizata tregon se brenda BE-së, rreth 66% e banorëve të Spanjës e shohin korrupsionin si një problemin më të madh të vendit të tyre. Ndërsa në Gjermani kjo përqindje është e vogël, ku vetëm 2% e të anketuarve e konsiderojnë korrupsionin si problemin më të madh të vendit të tyre. Për sa i përket Shqipërisë, Ukrainës dhe Bosnjë Hercegovinës, më tepër se gjysma e të anketuarve u shprehën se drejtuesit e vendit të tyre janë të korruptuar në nivel të lartë. Prej vendeve të tjera evropiane, që shihen se e kanë shkallën më të lartë të korrupsionit, sipas raportit “Barometri i Korrupsionit Global 2016”, janë Moldavia, Kosova dhe Ukraina. Në Kosovë, më pak se 50% e popullatës e shohin korrupsionin në mesin e problemeve më akute me të cilin ballafaqohen vendi. Ndërsa lidhur me çështjen se qeveritë çfarë politikash po bëjnë për të luftuar korrupsionin në sektorin publik rreth 53% e qytetarëve mendojnë se qeveritë po punojnë shumë pak, kurse 23% mendojnë se qeveritë po punojnë shumë mirë.