Tre të mitur, brenda dy ditësh, u theren me thika në Prishtinë

25.11.2016 17:19:13

Therjet me thikë në Prishtinë mes të miturve nuk janë të rralla. Këtë e dëshmon fakti se vetëm për dy ditë në kryeqytet, tre të mitur në dy raste të ndara janë therur me thikë.

Viktimat janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Rasti i parë ku mbeti i plagosur me armë të ftohtë një 16-vjeçar, ndodhi të enjten rreth orës 13:00, në lagjen Emshir në Prishtinë, saktësisht në afërsi të shkollës së mesme “Hoxhë Kadri Prishtina”, përleshje kjo mes disa personave, raporton lajmi.net.

Si rezultat i kësaj policia ka arritur të identifikojë dhe të shoqërojë në stacion 5 persona lidhur me ketë rast, ndërkohë që njësitet policore janë në kërkim të personave të tjerë që dyshohen të jenë të përfshirë në konflikt.

Ndërkaq, rasti tjetër i cili ka ndodhur sot, ka lënë të plagosur dy persona, po ashtu të mitur të cilët janë therur në mes vete.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Parkut të Prishtinës rreth orës 13:00, në rrugën “Isa Kastrati” .

Siç ka raportuar Policia, viktimat A.R, mashkull , 15 vjeç dhe V.D, mashkull , 14 vjeç kanë marrë plagë nga arma e ftohët  (thikë) dhe të njëjtit  menjëherë janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.