Tropojë, Lulzim Basha: Po përgatitemi për qeverisjen e re

07.12.2016 10:32:02

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në takimin e zhvilluar sot me strukturat në Tropojë, është shprehur PD po përgatitet të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes. Në takimin me demokratët e këtij qyteti, Basha ka shpjeguar se si do të përdoret buxheti i qeverisjes së tij nëse ai do të jetë në pushtet. Sipas tij, të gjitha paratë do të shkojnë vetëm për shqiptarët.

“Buxheti i shqiptarëve do të shpenzohet për shqiptarët. Objektivi ynë, qëllimi ynë është që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë, pa drita, kjo nënkupton një sërë masash të menjëhershme; siç është pagesa për çdo familje në nevojë ekonomike e 200 kilovatëve të parë të energjisë elektrike drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit; dhe e njëjta gjë edhe për faturat e ujit, e për nevojat jetike. Po kështu rritja e ndihmës ekonomike për të bërë të mundur që ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të ushqyer veten e tyre dhe fëmijët të marrin mjaftueshëm ndihmë ekonomike për të mbajtur veten gjallë, jo thjesht t’i marrin me një dorë dhe t’i paguajnë me dorën tjetër”, është shprehur Basha.

Liria dhe demokracia, sipas kryedemokratit Basha, janë dy koncepte që kanë humbur kutimin në këtë qeveri dhe se duhet punuar që këto koncepte të marrin fuqi përsëri.

“Koha ka ardhur që Partia Demokratike t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi, drejt lirisë dhe demokracisë. Ashtu si demokracia dhe liria erdhën për shkak të nevojës, domosdoshmërisë për të shporrur diktaturën, edhe sot kjo vjen si një domosdoshmëri t’i kthejmë qytetarëve qeverisjen, të fuqizojmë qytetarin, duke i dhënë instrumentat kushtetuese dhe ligjore”, u shpreh ai gjatë takimit me qytetarët në Tropojë.

Në fund të këtij takimi, kreu i PD, Lulzim Basha  u kërkoi anëtarëve të saj të evidentojnë hallet e qytetarët në nevojë si dhe u bëri thirrje studentëve të përqëndrohen vetëm te shkolla pasi sipas tij, ndryshimi po vjen.