Trump-ët kërconojnë mediat

14.10.2016 17:06:24

Melania Trump kërcënon se do të paditë “People Magazine” për artikullin e publikuar nga gazetarja Natasha Stoynoff, e cila pohon se është ngacmuar seksualisht nga Donald Trump në resortin e tij në Florida në 2005-ën. Melania ka publikuar në profilin e saj në “Twitter:” letrën të dërguar nga avokatët e saj, ku i kërkon revistës që t’i kërkohet falje brenda 24 orësh dhe të tërhiqet artikulli, pasi është i bazuar në pohime që i ka cilësuar si të reme.

Edhe Donald Trump kërcënoi se do ta padisë gazetën “New York Times”, e cila publikoi akuzat e dy femrave. Gazeta reagoi duke thënë se është e gatshme dhe e mirëpret mundësinë që të mbrojë çështjen e saj në gjyq. Në debatin e fundit me Clinton, Trump deklaroi se kurrë nuk kishte puthur apo prekur femrat pa lejen e tyre, ndërsa theksoi se i respekton ato. Por, femrat që e akuzuan për këtë thanë se ishte pikërisht mohimi që ai bëri gjatë debatit që i shtyu të dilnin publikisht, pavarësisht se shumë vite pas incidenteve të tyre me Trumpin, në njërin rast, më shumë se 3 dekada.

Donald Trump i mohoi akuzat për ngacmim seksual dhe para mbështetësve të tij në Florida tha se ato janë plotësisht të rreme. Kandidati republikan për presidencën tha se femrat që i bënë këto akuza ishin gjënjeshtare dhe po bëjnë reklamë, pasi mediat bashkëpunojnë me rivalen e tij Hillary Clinton.

Disa femra pretendojnë se Donald Trump i ka prekur në mënyrë të pahijshme, apo i ka puthur kundër vullnetit të tyre. Në shfaqjen e tij të parë publike që pas këtyre akuzave, Trump tha se këto histori ishin një komplot kundër popullit amerikan nga media dhe politika. Miliarderi njujorkez tha se ka prova që tregojnë se akuzat nuk kanë bazë, por shtoi se do t’i publikojë ato në kohën e duhur.

Javën e shkuar, publikimi i një videoje në të cilën Trump bënte komente ofenduese për femrat, shkaktoi mjaft debat që përfshiu ashpër fushatën e tij. Megjithëse turmat në mitingjet e tij duket sikur shtohen, dhjetëra republikanë deklaruan se nuk mund ta mbështesin më dhe Trump është mjaft mbrapa Clintonit në sondazhe kombëtare dhe në rang shtetesh.

Ndërkohë, blogu “FiveThirtyEight”, i specializuar në përllogaritjen mbi bazën e sondazheve, ka përpiluar një hartë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane në rast se do të votonin vetëm burrat ose vetëm gratë. Kështu, del se në rast se do të numëroheshin votat e grave, do të fitonte kandidatja demokrate Hillary Clinton me 459 vota elektorale në krahasim me 80 në favor të kandidatit republikan Donald Trump. Por do të fitonte ky i fundit nëse do të votonin vetëm meshkujt, me 350 vota elektorale në favor të tij dhe 188 për Clinton. Pragu minimal për të fituar presidencën amerikane është 270 vota.