Turqia kërcënon Evropën për liberalizimin e vizave

07.09.2016 11:31:34

Qeveria e Turqisë deklaroi se në rast se nuk zgjidhet sa më shpejt çështja e heqjes së regjimit të vizave për shtetasit turq nga ana e Bashkimit Evropian, atëherë Ankaraja do të marrë masa përkatëse në lidhje me marrëveshjen e refugjatëve të nënshkruar me BE-në.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se Omar Çelik, ministri turk për çështje të integrimit, deklaroi: “Nëse nuk hiqet regjimi i vizave për qytetarët turq për të udhëtuar në vendet e BE, Ankaraja nuk do të mund të vazhdojë ndalimin e hyrjes së refugjatëve në vendet e Bashkimit Evropian”.

Çelik gjithashtu kërkoi nga BE që sa më shpejt t’i jap qeverisë së Turqisë një miliard euro nga 3 miliardët e premtuar sipas marrëveshjes. Ai shtoi se aktualisht Turqia po mbanë 3 milionë refugjatë sirianë në territorin e saj dhe kjo i kushton qeverisë turke 25 miliardë euro.

Vlen të theksohet se Rexhep Taip Erdogan, presidenti i Turqisë, në muajin gusht gjithashtu kishte kërcënuar BE se nëse nuk garantohet heqja e vizave për qytetarët turq nga ana e BE, do të dështojë marrëveshja e refugjatëve.