Vajza nga Tirana rrëfen tmerrin: Më futën në makinë, më lidhën sytë e më përdhunuan

07.11.2016 13:33:56

Një vajzë e re ka bërë denoncim në polici, ku ka treguar se dy meshkuj e kanë përdhunuar, dyshimet e para të policisë për autorët e kësaj ngjarjeje lidhen me dy persona, të cilët vajza i ka njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

Ngjarja e rëndë mësohet të ketë ndodhur mbrëmjen e së premtes, ndërsa denoncimi në polici është bërë ditën e shtunë. Siç raporton “Panorama”, vajza ka treguar se po kthehej në shtëpi në darkë, duke ecur në këmbë përgjatë rrugës “Myslym Keta” dhe disa metra para se të arrinte te lagjja ku banon, një makinë i ka ndaluar para këmbëve.

Dy persona kanë zbritur dhe e kanë futur me forcë vajzën brenda në makinë. Ajo tregon se autorët i kanë mbyllur gojën dhe sytë dhe nuk ka arritur të kërkojë ndihmë, apo të shohë rrugën se ku po e dërgonin.

Sipas deklarimeve të saj, rruga me dy autorët ka zgjatur shumë pak minuta, deri te një shtëpi e braktisur ku ata e kanë dërguar. Por vajza tregon se nuk e di se ku ndodhet kjo shtëpi, pasi nuk e ka parë rrugën kur ka shkuar apo kur e kanë larguar nga aty. Më pas, ajo tregon se të dy personat që e rrëmbyen, kanë kryer marrëdhënie seksuale me të kundër dëshirës së saj.

Në fund, teksa e kanë dërguar sërish në rrugën ku e kishin marrë me makinë, e kanë kërcënuar që të mos e denonconte ngjarjen në polici, pasi do të hakmerreshin keq me të. Burimet thanë se deklarimi i vajzës është marrë në prezencën e një psikologeje të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, për shkak të gjendjes së rënduar.

E pyetur për dy autorët, në mënyrë që të jepte ndonjë përshkrim fizik të tyre, 22-vjeçarja ka treguar se nuk e ka parë asnjërin nga personat, pasi gjatë gjithë kohës i ka pasur sytë e lidhur.