Vazhdojnë kërcënimet nga Serbia për themelimin e Asociacionit

04.01.2017 18:43:27

Komisioni Parlamentar për Kosovë, më 11 janar do të diskutojë për situatën politike dhe për sigurinë në Kosovë, ka thënë kryetari i këtij komisioni, Milovan Drecun.

Siç thotë ai, kur është fjala për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, tashmë duhet të lëvizin Prishtina dhe Brukseli.

“Kohët e fundit ka ndodhur një ndërlikim i panevojshëm i situatës politike në Kosovë, për shkak të veprimeve të disa përfaqësuesve serbë”, ka thënë Drecun, transmeton lajmi.net.

Ai ka shtuar se në të ardhmen pritet që përfaqësuesit serb në institucionet e Kosovës të jenë unikë, duke thënë se ata duhet të mbrojnë interesat e popullit serb në mesin e shqiptarëve, duke u përpjekur të imponojnë një zgjidhje të njëanshme e cila nuk do të jetë e dëmshme për ta.

Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, Drecun ka thënë se Komiteti ka kërkuar shërbime kompetente për shpërndarje të informacioneve, duke pasur parasysh funksionimin e islamikëve radikal, si dhe ata që iu kanë bashkuar grupeve xhihadiste nga Ballkani.

“Ne duhet t’i marrim parasysh kërcënimet për popullin serb në Kosovë si dhe shkallën e mundshme të rrezikshmërisë. Si komision e kemi situatën nën kontroll”, ka thënë Drecun.

“Është e papranueshme të shtyhet themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe në një kohë të pacaktuar”, ka thënë Drecun, duke shtuar se Prishtina nuk ka nevojë të arsyetohet pasi që një gjë e tillë do të ndodhë.

Sipas tij, nëse Prishtina dëshiron normalizim të marrëdhënieve me serbët atëherë duhet formuar AKS-ja.

“Përfaqësuesit e popullit serb do të veprojnë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, AKS-ja është sistem i mekanizmit për mbijetesë dhe prosperitet ekonomik”, ka thënë Drecun.

Ai ka shtuar, se pa formimin e AKS-së, populli serbë nuk ka të ardhme të mirë dhe stabile në Kosovë.