Vdekja enigmatike e Pëllumb Marnikollajt: familjarët protestojnë para ambasadës greke

08.09.2016 11:50:10

Familjarët e 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj kanë organizuar ditën e sotme një protestë pranë Ambasadës greke, për vdekjen e të riut shqiptar nga Rrila e Lezhës, në Greqi. Tubimi ka nisur rreth orën 11:00 ku të afërm e miq të 29-vjeçarit janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për vdekjen e të riut në rrethana misterioze dhe ende të paqarta në ambientet e një komisariati policie në Greqi.

Sipas familjarëve i afërmi i tyre ndërroi jetë për shkak të dhunës nga policia greke dhe kërkojnë nga autoritetet shqiptare që të bëjë drejtësi duke zbardhur deri në fund ngjarjen e rëndë.

Pëllumb Marnikollaj, i cili jetonte si emigrant në Greqi, humbi jetën në rrethana ende të paqarta në stacionin e policisë në Athinë, në fillim të muajit gusht. Ai ishte arrestuar për vjedhje duke bërë 7 vite burg dhe prej 4 muajsh gjykata e kishte liruar, duke e lënë në detyrim paraqitje.

Me datën 3 gusht, me kërkesë të policisë greke, Marnikollaj ishte paraqitur në komisariat, ku pas disa orësh gjeti dhe vdekjen. Pas disa ditësh kërkime, trupi i pajetë i emigrantit u gjet në frigoriferin e varrezave “Agio Anargioro”, gati për t’u varrosur, duke u klasifikuar si kufomë pa identitet.

Familjarët e 29-vjeçarit pretendojnë se i afërmi i tyre ka gjetur vdekjen pasi është dhunuar barbarisht nga autoritetet policore greke. Por kjo e fundit i ka mohuar këto akuza. Pak javë më parë, policia helene deklaroi se nga ekspertiza paraprake, në trupin e Marnikollaj janë konstatuar dëmtime në kokë dhe hemorragji e brendshme, që mund të kenë ardhur nga rënia nga një lartësi e madhe.