Vdiq gazetari Allister Sparks, burri që vuajti për të vërtetën dhe vetëm të vërtetën

21.09.2016 22:19:47

‘Gazetaria ka qenë arsimimi dhe shpëtimi im intelektual edhe kur vendi im u transformua nga një shtet racist policor në demokraci’ – Allister Sparks.

Sot, në moshën 83 vjeçare, ka vdek Allister Sparks, ikona e gazetarisë jugafrikane dhe një nga legjendat e gazetarisë botërore.

“Sparks u bë i njohur në botë kur në vitet e ‘70-ta të shekullit të kaluar e sfidoi regjimin racist të vendit të tij – Republikës së Afrikës së Jugut”, thotë publicisti dhe studiuesi, Daut Dauti.

Sparks me hulumtimet e tija zbuloi edhe skandale të shumta të politikanëve racistë e korruptive. Në vitin zbuloi se Steve Biko, udhëheqësi i opozitës dhe i popullsisë shumicë me ngjyrë, ishte mbytur nga rrahjet mizore që kishte ushtruar ndaj tij policia.

Në vitin 1985 mbeti pa punë pasi që asnjë gazetë e vendit të tij nuk guxonte ta punësonte nga presioni i qeverisë dhe shoqërisë raciste. Si rezultat, filloi të punonte si korrespondent i gazetës amerikane ‘Washington Post’ dhe asaj britanike ‘The Observer’. Kjo ishte koha kur të rrallë ishin ata që guxonin të flisnin apo të shoqëroheshin me te.

Sparks u bë mik me Nelson Mandelën të cilin e intervistonte në burg. Pastaj, Sparks luajti një rol të rëndësishëm në negociatat sekrete që u zhvilluan në mes qeverisë dhe Mandelës në burg e që rezultoi me rënien e politikës së aparheidit në vitin 1994. Nga ky vit gjërat ndryshuan aq shumë sa që gjithkush dëshironte të bëhej mik me te.

Në shoqërinë e re demokratike Sparks ushtroi rolin e udhëheqësit të televizionit publik të Afrikës së Jugut. Edhe gjatë këtij funksioni ai vazhdoi të ushtronte gazetari të mirëfilltë dhe zbuloi disa skandale politike. Sparks është autor i disa librave dhe themelues i shkollave dhe instituteve të rëndësishme të gazetarisë.

“Allister Sparks ka qenë gazetar për të cilin gjithmonë ka nevojë bota”, thotë Dauti.