Veseli: Fotografia ishte luftë speciale e Serbisë dhe argatëve të dreqit, kam marrë goditje të rëndë

17.05.2019 21:38:14

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se ndaj tij, partisë së tij dhe vendit po bëhet një luftë speciale nga Serbia dhe nga ‘argatët e dreqit’.

Kështu është përgjigjur Veseli kur u pyet nëse dyshojnë se dikush pati gisht në publikimin e fotografisë nga deputetja Flora Brovina.

“Qëllimin duhet ta drejtojmë kah Serbia. Nuk na është dashur atë ditë në seancë, ajo që ndodhi. Dyshojmë në Serbinë dhe në argat e dreqit. Unë e njoh mirë këtë lojë, e këto qëllime. Kjo është tipike e një lufte speciale e cila është targetuar. Është fatkeqësi nëse kjo ka ndodhur nga viti 2003. Ka mundur të ndodh tek shoqatat që merren me këto çështje. Merrni këto shoqata e shikoni se ka familjarë që paguajnë para se në Serbi se të afërm të tyre janë në burg privat në Serbi”, ka thënë Veseli në Tv Dukagjini.

Tutje, Veseli thotë se kushdo që u përfshi në këtë luftë speciale, nuk i do shqiptarët.

“Është tipike e menaxhuar. Luftë special e bërë nga dikush që s’i do shqiptarët. Nuk do të mund të na ndalin askush. Do të shkojmë deri në fund në këtë çështje. Është luftë speciale e shërbimeve sekrete. Po bëhen thirrje edhe që të dalin kundër Flora Brovinës. Por ky është mekanizëm i tërë të cilin si shoqëri duhet ta mendojmë mirë e të mos biem pre e saj. Edhe më 2004 ka qenë kështu, në trazira, e u dëmtuam rëndë. U synua të arrihet bilanc i spastrimit etnik që kishte ndodhur në luftën e 99’tës ndaj neve, e tani kinse ndaj serbëve. Nëse janë gëzuar kundërshtarët e mi, unë e kam marrë një goditje të fortë ndaj kësaj”, ka thënë Veseli.