Veseli: Ftoj partitë të distancohen nga veprimet e tilla që destabilizojnë vendin

05.08.2016 11:49:19

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas sulmit ndaj objektit të Kuvendit ka kërkuar nga forcat politike në vend që duan të destabilizojnë vendin që të distancohen nga veprimet e tilla të dhunës.

Ai në një deklaratë ka thënë se sulmi i mbrëmshëm përbën sulm kriminal me elemente të terrorizmit drejtuar institucioneve dhe popullit.

Lexoni deklaratën e plotë:

Deklaratë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli

Sulmi i mbrëmshëm mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës përbën një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës.

Si motivuesit, ashtu edhe kryesit e këtij sulmi tinzar, duhet ta kenë të qartë se asnjë formë e dhunës, as metodat e frikësimit, nuk do të munden kurrë të ndalojnë agjendën e fuqizimit dhe konsolidimit të shtetit tonë.

Ftoj të gjitha forcat politike në vend që të distancohen qartë nga veprimet të tilla që duan të destabilizojnë vendin dhe të motivojnë edhe më shumë ata që janë kundër shtetit të Kosovës.

Ne sëbashku e kemi ndërtuar këtë shtet, sëbashku duhet ta mbrojmë, ta zhvillojmë e fuqizojmë.

Ftoj qytetarët tanë që të kenë besim në institucionet tona, në kapacitetet e tyre për të grantuar rendin, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend.