Veseli takon Hafsa Abdulla Al Ulama: Së shpejti do ta hapim Ambasadën në EBA

05.12.2016 18:15:24

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim ambasadoren e Emiratave të Bashkuara Arabe në Podgoricë, Hafsa Abdulla Al Ulama.

Sipas njoftimit nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, ambasadorja Hafsa Abdulla Al Ulama interesua për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës dhe përgjithësisht për klimën e investimeve në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Kryetari Veseli potencoi funksionalitetin demokratik të Kuvendit të Kosovës dhe përmbushjen e misionit të tij sipas mandatit që ka. Veseli theksoi kushtet e favorshme që ka Kosova për të bërë biznes, duke veçuar edhe miratimin e Ligjit për investime strategjike, bazë kjo që tërheq investitorët e huaj.

Gjithashtu, Veseli e siguroi ambasadoren se Kosova shumë shpejt do ta hapë Ambasadën e vet ne EBA, e cila do të jetë adresë zhvillimit të interesave reciproke në shumë fusha të jetës së qytetarëve të të dyja shteteve.

Ishte dakordim i përbashkët për të hulumtuar mundësitë e shkëmbimeve tregtare, si dhe atyre në fushën e shëndetësisë.

Në fund, kryetari Veseli e falënderoi ambasadoren për investimin e Qendrës Spitalore në Vushtrri, nga ana e Emirateve të Bashkuara Arabe.