Veterani kinez me këmbë të amputuara mbjellë 17 mijë pemë për 19 vite, hapësirën e shndërron në mal (Video)

08.04.2019 15:23:07

Një veteran kinez që kishte humbur të dy këmbët për shkak të një sëmundje të rëndë, ka arritur të mbjellë më shumë se 17 mijë pemë në 19 vitet e fundit, duke e shndërruar zonën në një mal.

Ma Sanxiao, 70-vjeç, ka arritur që tokën pa kurrfarë ndërtimi ta shndërroj në mal, duke përdorur kazme, lopatë dhe një sëpatë të vogël.

Burri me këmbët e amputuara në gjunjë, kishte filluar mbjelljen e pemëve në vitin 2000 për të fituar para që ta mbajë gjallë familjen, por tani këtë e bën për hobi dhe ta ruaj ambientin.

Ma jeton në fshatin Mayu në provincën kineze Hebei, e sipas mediave lokale ky ushtarak i pensionuar del nga shtëpia në ora pesë të mëngjesit për të mbjellë pemë.

Ai me vete merr ushqimin dhe zakonisht tërë ditën e kalon jashtë duke mbjellë pemë. E rrugën nga shtëpia për në mal e përshkon me triçikël dhe protezat.

Në vitin 2008 historia e tij ishte shpërndarë në masë të madhe, kurse qeveria kineze i ka dalë në ndihmë duke i ofruar asistencë sociale. E prej atëherë ai punon edhe më shumë, pasi ndihet sikur i ka “borxh” shoqërisë për ndihmën e ofruar.