Vetëvendosje: Drejtori i Financave në Fushë Kosovë kërcënon aktivistin tonë

31.07.2017 14:38:57

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se drejtori i Financavce në Komunën e Fushë Kosovës Ramadan Jashanica ka kërcënuar gjatë seancës së Kuvendit Komunal aktivistin e kësaj lëvizjeje, Alket Zeqiri i cili po e ndiqte seancën si qytetar.

“Kur këshilltarja e VETËVENDOSJE!-s, Trëndelina Duli po diskutonte mbi pikën e rendit të ditës ‘Shqyrtimi i raportit të Auditorit për vitin 2016’, me tone kritikuese për një raport shumë të keq, që nxirrte në pah keqpërdorime dhe material të mjaftushëm edhe për nisjen e hetimeve nga prokuroria, Drejtori i Financave reagon nga fundi i sallës me zë të lartë duke e ndërprerë fjalën e këshilltares tonë e duke i kërkuar Kryesuesit të Kuvendit t’ia ndërprejë fjalën”.

“Ky reagim i Drejtorit, fyes e jashte çdo norme të mbarëvajtjes së punës së Kuvendit Komunal nxiti aktivistin tonë Alket Zeqiri të kërkojë më shumë rend në Kuvend dhe që të mos i ndërpritet fjala Këshilltares së VETËVENDOSJE!-s në mënyrë tendencioze. Mirepo reagimit të aktivistit tonë Drejtori iu përgjigj me kërcënime duke i thënë “mshele gojën, shihemi ne jashtë, etj.”
“Pas disa minutash që gjendja u qetësua dhe seance vazhdoi qetësisht, Drejtori në fjalë përsëri është afruar tek aktivisti Alket Zeqiri duke i kërkuar që të dalë jashtë dhe t’i qerojë hesapet me të. Kjo ka shkaktuar më pas tollovi dhe seance është braktisur nga Këshilltarja e VETËVENDOSJE!-s dhe aktivistët që po e ndiqnin seancën”, thuhet në një njoftim të qendrës së kësaj lëvizjeje në Fushë-Kosovë.