Vetëvendosje uron për shenjtërimin e Nënë Terezës

03.09.2016 14:41:47

Lëvizja Vetëvendosje i ka uror të gjithë besimtarët katolikë dhe shqiptarët,  për shenjtërimin e Nënës Terezë, Gonxhe Bojaxhiut.

Komunikata e plotë nga Vetëvendosja:

Si murgeshë, me shërbimin e dedikimin e saj religjioz, ajo sigurisht që është një simbol i katolicizmit botëror e i atij shqiptar. Por si njeri i përkorë, si një grua që jetën e saj ia dedikoi të varfërve e fatkeqëve, vepra e mesazhi i saj tashmë i ka kaluar kufijtë e një religjioni, duke bërë jehonë në një pjesë të madhe të njerëzimit.

Sigurisht, procesi i shenjtërimit e kthen Nënën Terezë në një simbol të njohur botërisht, të cilin mund edhe ta keqpërdorë dikush. Jo të paktë janë ata pushtetarë të stërpasuruar në mënyrë kriminale që gjatë këtyre ditëve do të përpiqen ta pastrojnë imazhin e vet përmes përvetësimit të simbolit të Nënës Terezë. Por kjo nuk duhet të na ndalojë ta respektojmë personalitetin e saj, dhe t’i kushtojmë rëndësinë e duhur mesazhit të jetës e veprës së saj.

Në një kulturë dominante të tregut e të konsumit, ku pasuria e padrejtësia shfaqet arrogante, jemi krenarë që nga mesi i shqiptarëve doli një personalitet i përmasave universale, që jep një mesazh të tillë solidariteti e sakrifice në të mirë të të varfërve, të pastrehëve, të papunëve e të atyre që janë të diskriminuar.

I bashkangjitemi respektit e gëzimit për ceremoninë e shenjtërimit të saj!