Vlora Dumoshi: Ernest Luma, ky ndotës i gazetarisë

07.01.2017 20:46:36

Shefja e Kabinetit të Isa Mustafës, Vlora Dumoshi ka reaguar ndaj redaktorit të portalit të RTK-së, Ernest Luma, që kryeministrin e ka quajtur horr.

“Duke shprehur respektin e plotë dhe duke mos dashur në asnjë formë që të ndikoj në punën, politikat redaktuese si dhe aspektet menaxheriale të RTK-së, shpreh keqardhjen e thellë për gjuhën ekstreme rrugaqërore që një redaktor i televizionit publik, me emrin Ernest Luma, ka përdorur ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Duke pas parasysh edhe rastet e tjera të ngjashme në RTK, besoj se RTK-së do t’i bënte nder që së paku të distancohet nga gjuha e këtij personi. Shpërdorimi që ky ‘redaktor’ i bën RTK-së është përdhosje e gazetarisë dhe e emrit, besueshmërisë dhe imazhit të televizionit publik.

Ftoj edhe AGK-në që të distancohet nga gjuha e skajshme e këtij ndotësi të gazetarisë, duke kontribuuar në këtë formë për gazetarinë kosovare dhe komunitetin e nderuar të gazetarëve të Kosovës”, ka shkruar Dumoshi në profilin e saj në Facebook.