VMRO-DPMNE del fituese me 51 mandate deputetësh

13.12.2016 12:22:24

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka shpallur rezultatet zyrtare nga zgjedhjet parlamentare dhe ndarjen e mandateve në bazë të procesverbaleve origjinale.

Sipas njoftimit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, VMRO-DPMNE ka fituar 51 mandate, LSDM 49, në bllokun e partive politike shqiptare BDI ka fituar 10 mandate, Lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 mandate. Në përbërjen e re parlamentare, partitë politike shqiptare nga gjithsej 120 do të kenë 20 deputetë. Parlamenti pas zgjedhjeve parlamentare duhet të takohet në mbledhje konstitutive më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Mbledhjen konstitutive e thërret kryetari i Parlamentit nga përbërja e kaluar. Në rast se mbledhja nuk zhvillohet në afatin e paraparë, atëherë deputetët mblidhen vetë dhe konstituojnë Parlamentin në ditën e 21-të pas zgjedhjeve.

Më pas, presidenti i shtetit është i obliguar që në afatin prej 10 ditëve nga konstituimi i Parlamentit mandatin për formimin e Qeverisë t’ia japë kandidatit të partisë ose partive që kanë shumicë në Parlament. Mandatari në afat prej 20 ditëve nga besimi i mandatit paraqet program dhe e propozon përbërjen e Qeverisë. Qeverinë, e zgjedh Parlamenti me shumicë të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.