Vrasësit “anonim” në Shekullin e Ri

05.04.2017 09:55:10

Nga Azem Parllaku
 Një luftë, që lindi pas të ashtuquajturës “Pranvera Arabe”, e cila rezultoi si një dështim, ndërsa shoqëritë aty nuk ishin të gatshme për ndryshim, teksa arsyeja tjetër është se forca më gjithëpërfshirëse e rajonit është Islami, e rrjedha e ngjarjeve e ka rritur “besimin” se Islami nuk është në gjendje të bashkëjetojë me demokracinë.
Pamjet e trupave të nëntë fëmijëve të vegjël të vënë në rresht, e të mbuluar me batanije dhe dhjetra të tjerëve të plagosur, në një sulm të dyshuar kimik në një qytet të mbajtur nga rebelët në veri-perëndim të Sirisë, ishin shokuese. Sulmi i të martës në provincën e Idlibit, ku të paktën 58 persona u vranë, dyshohet të jetë kryer nga avionët rusë. Më vonë, një tjetër avion sulmoi me raketa klinikat lokale që po trajtonin disa prej të mbijetuarve, thanë mjekët dhe aktivistët e opozitës.
Provinca kontrollohet gjerësisht nga aleanca e rebelëve, një degë e Frontit të Al-Kaidas dhe Al-Nusras. Grupi njihet tani me emrin Fateh al-Sham. Ministri i Jashtëm francez ka kërkuar sot një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Një sulm i ri kimik ka ndodhur mëngjesin e sotëm në provincën Idlib. Informacionet e para sugjerojnë se nga ky sulm ka shumë viktima, përfshirë edhe fëmijë.
Unë i dënoj këto akte të neveritshme”, tha përmes një deklarate, ministri Jean-Marc Ayrault. Sipas të dhënave të Qendrës Vëzhguese Siriane është vështirë të verifikohet, nëse sulmi është kryer nga avionë sirianë apo rusë. Kjo organizatë është e afërt me rebelët dhe bazohet në të dhëna informantësh për publikimet e saj.
Ndërkohë, Rusia hodhi poshtë kategorikisht të martën çdo lloj përgjegjësie në lidhje me sulmin me gaz helmues në Siri, po kështu edhe Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, mohon se përdor armë kimike dhe akuzon rebelët për përdorimin e tyre. Hetuesit e Kombeve të Bashkuara për krime lufte hapën hetimet në lidhje me këtë sulm. Sulmi llogaritet si krim lufte dhe shkelje serioze e ligjit të të drejtave të njeriut.
Revolucioni i sirian i filluar me kërkesat popullore për demokraci, nuk është tjetër veçse një kaos, ndërsa jetohet një periudhë hibride ku janë përfshirë shumë aktorë. Rreth 300,000 njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga luftimet, të cilat kanë krijuar po ashtu krizën më të madhe me migrantë në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Në vitin 2016 së paku 652 fëmijë janë vrarë dhe miliona të tjerë kanë vuajtur si refugjatë.
Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin grupe të ndryshme rebele në luftimet kundër Assadit, ndërsa Rusia dhe Irani mbështesin Assadin. Konflikti përfshin edhe luftëtarë të grupit militant Shteti Islamik, i cili kundërshtohet nga të gjitha palët. Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara, UNICEF, në një raport të fundit bën të ditur se, së paku 255 fëmijë janë vrarë në ose pranë shkollave.
Shumë nga fëmijët janë vrarë direkt nga konflikti, por shumë të tjerë kanë vdekur për shkak të mungesës së qasjes te mjekët dhe shërbimet bazike, thuhet në raport. Fëmijët në Siri janë duke u shfrytëzuar dhe rekrutuar për të luftuar direkt në vijat e frontit. Ata janë duke marrë pjesë gjithnjë e më shumë në role lufturake, përfshirë rastet ekstreme si: ekzekutues, kamikazë apo roje burgu. Mizoria e luftimeve në Siri i ka detyrua njerëzit të marrin arratinë. Në të gjithë vendin që prej shpërthimit të luftës ndodhen 12 milionë njerëz në arrati.
Këta janë më shumë se gjysma e popullsisë siriane, një shifër tronditëse, si dëshmi e paaftësisë së bashkësisë ndërkombëtare, për t’a menaxhuar situatën. Siria u bë teatër i luftës së përgjakshme midis sekteve të besimit islam, e u zhyt në një luftë civile tmerrësisht të egër. Në Siri dy sektet e besimit islam, njëri i quajtur Suni me rreth 70% të popullësisë, ndërsa tjetri i quajtur Shiat me 30% të popullësisë, u vendosën përballë me pretendimin se; Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad, i përket dhe favorizon sektin e pakicës Shiat, e persekuton sektin tjetër të besimit.
Një përballje kjo që, çoi në luftë të përgjakshme, e më vonë lindjen e ISIS, i cili i përket sektit të shumicës Suni, kishte si qëllim luftën pa kompromis kundër sektit tjetër islam të besimit në Siri. ISIS, ndryshe Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut, që nga viti 2013 konsiderohet si armiku i përcaktuar i Botës së pas Luftës së Ftohtë. I shtrirë në një hapsirë me më shumë se 60.000 km2, ku mendohet se jeton një popullësi të paktën 8 milion banorë, e më tepër i lindur në një rajon si teatër i luftrave të këtij shekulli, ISIS është shndërruar në një kërcënim potencial në shkallë globale.
Duke hyrë në rol, Rusia, është kthyer në ritmin e saj historik dhe rivendosjes së perandorisë së humbur. Rusia gjithmonë do të jetë shumë e rëndësishme dhe një “kërcënim” për rendin e ri botëror, ndaj dhe u tregua e gatshme të reagojë ndaj trubullirave rreth kufijve të saj, e luftrave në Lindjen e Mesme. Presidenti rus Putin, krahas “goditjeve” nga ajri të pozicioneve të militantëve të ISIS, duket se ka patur në kokë një plan rus për zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Siri. Presidenti rus, Putin, nuk i kursyer kritikat e tij, për disa nga vendet, apo aleatët e vendeve të zhvilluara, të cilat financojnë dhe mbështesin Shtetin Islamik.
Deklarata e tij, pas rrëzimit të avionit luftarak në kufirin midis Turqisë dhe Sirisë, nga ana e forcave të mbrojtjes ajrore të Turqisë, se: “Rusia ka qenë prej kohësh e informuar për naftën, që nën kontrollin e terroristëve shkonte nga Siria në Turqi, e paratë e shitjes financonin grupet terroriste”, duhej konsideruar. Në këtë mënyrë presidenti Putin, po thoshte që, terroristët jo vetëm financohen nga një ekonomi e zhvilluar, por dhe po mbrohen nga një ushtri anëtare e NATO-s.
Sido që të rrjedhin ngjarjet, edhe pas 5 prillit, Putin i ka hapur rrugë qasjes së planit te tij, i cili pakashumë është: Propozimi që kthen paqen në Siri, duke e lënë në pushtet Presidentin sirian Bashar al-Assad, ndërkohë që, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Anglia, Turqia dhe aleatët e Gjirit Arab, thonë që, Assad kurrësesi nuk duhet të qëndroj në pushtet, thjeshtë mund të jetë pjesë e negociatave për vendosjen e paqes. Uashingtoni thotë se një pjesë e madhe e sulmeve të Moskës adresohen ndaj opozitës së moderuar siriane, e cila mbështetet nga Perëndimi në betejën e saj kundër presidentit Bashar al-Assad.
Pjesë e bombardimeve ruse në Siri janë edhe disa fshatra të minoritetit turk në Siri, gjë që e zemëron Ankaranë. Moska dhe Damasku i quajnë terroristë të gjithë kundërshtarët e regjimit, jo vetëm ISIS, dhe militantët e frontit Nusra, por dhe Ushtrinë e Lirë Siriane që mbështetet nga Perëndimi dhe vendet arabe.
Duke goditur kundërshtarët e regjimit, goditje të cilat janë raportuar herë pas here, e që mendohet se manipulohen nga përgënjeshtrimet që publikon Moska, kjo e fundit ka inkurajuar trupat e regjimit të ndërmarrin një ofensivë në shkallë të gjerë, ç’ka e dëshmon dhe sulmi i dyshuar kimik i kësaj të marte. Me justifikimin e sulmeve ushtarake nga ajri që Rusia ka ndërmarrë kundër terroristëve të ISIS, Putinit i lind e drejta t’u thotë liderëve të Europës, se është Rusia ajo, që po ndihmon jo vetëm ushtarakisht në vendosjen e paqes në Lindjen e Mesme, e paqja që po vendoset po e frenon në këtë mënyrë fluksin e atyre që ikin nga lufta, të cilët për Europën janë shqetësimi i ditës
. Putin ky vrasës i shekullit të Ri, e ka kuptuar më mirë nga gjithkush se Shtetet e Bashkuara janë lodhur nga luftrat e Gjirit Persik, po kështu dhe Europa nga ana e saj, është shumë më pak operacionale nga c’duhet, ndaj dhe është hedhur në ofensivë për të përfituar kreditet në këtë ndeshje midis Perëndimit dhe ISIS. Me këtë rast Putin shpreson që Ukraina është një kapitull i mbyllur, e Europa në këmbim të paqes në Siri do të inkurajohet t’i hiqen sanksionet që ajo i ka vënë Rusisë, pa e harruar influencën që po vendos dhe në Mesdhe, një synim ky i kahershëm për Kremlinin. Fakti, që fëmijët, gratë e burrat, të cilët nuk kanë të bëjnë me konfliktin e armatosur, por ndodhen midis dy fronteve, nxjerr në pah domosdoshmërinë e ndalimit të gjëmimit të kësaj lufte me shumë të vrarët nga vrasës anonim.