Vrasja e Cukut, Basha: Oficeri i karrierës u hodh padrejtësisht në rrugë

09.04.2017 13:06:45

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar lidhur me ekzekutimin me armë zjarri të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës Artan Çuku. Në një reagim në Facebook, Basha thotë se ky është një lajm tronditës, ndërsa u shpreh ngushëllimet familjarëve.

“Vrasja e oficerit Artan Cuku poshtë banesës së tij është një lajm tronditës. Artan Cuku ishte një oficer karriere me rezultate të larta në luftën ndaj krimit në gjithë detyrat e tij të larta. Një prind i shkëlqyer, një koleg i veçante. Me pikëllim të ​madh ndaj këtë moment dhe dua t’i shpreh familjes së tij ngushëllimet më të sinqerta”.

Nga ana tjetër, Basha shpreh revoltën e tij për largimin e padrejtë të Cukut nga radhët e policisë.

“Po gjithashtu, dua të shpreh dhe revoltën për largimin e tij të padrejtë nga policia, duke e hedhur kështu në rrugë, pa motiv ligjor, një oficer që ka luftuar krimin për 15 vite. I bëj thirrje prokurorisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen e të vendosë autorët para ligjit”.