Vrasja e Enverit, ka vetëm një të dyshuar

15.09.2016 13:30:45

Enver Kelmendi nga Malisheva është personi i cili ishte shpallur i zhdukur me datën 11 shtator por i cili është gjetur pa shenja jete një ditë më vonë në afërsi të pyllit në fshatin Mirushë të komunës së Gjakovës.

Ndërsa policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme kishte informuar se është arrestuar një i dyshuar për vrasje.

“Sot me datë 14.09.2016 pas një pune intensive operativo hetimore, Sektori Rajonal për Hetime nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë në bashkëpunim me stacionin policor të Malishevës kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë personin e dyshuar. Personi i dyshuar është : N.K shqiptar/ kosovar i moshës 41 vjeçar nga komuna e Malishevës”, është thënë nga policia rajonale e Gjakovës.

Kurse përpos të dyshuarit me inicialet N.K i moshës 41 vjeçare, është theksuar se nuk ka të dyshuar tjetër në lidhje me vrasjen e personit në fjalë.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës Lirije Podrimaj, ka thënë për Indeksonline se në lidhje me vrasjen e Enver Kelmendit është vetëm një i dyshuar i cili edhe është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

“Personin e dyshuar e kemi në ndalim, ndërsa të tjerë nuk ka”, ka thënë Podrimaj.

Kurse e pyetur rreth informacionit se i dyshuari ka pranuar se ka kryer veprën ‘vrasje’, Podrimaj ka theksuar se ai ka mundur të flasë dje ndryshe dhe sot ndryshe.

“Ai ka mundur të thotë dje se e ka vrarë, e sot mund të thotë se nuk e ka vrarë. Por ne ndihmohemi vetëm nga provat”, ka shtuar Podrimaj. Gjithashtu sipas saj ka prova të mjaftueshme në këtë rast.

“Ne kemi prova të mjaftueshme që ai është kryesi i veprës dhe ne ndihmohemi nga provat që kemi”, ka thënë ajo.

Po ashtu ajo ka theksuar se nuk dihet ende asgjë rreth motivit të vrasjes së Enver Kelmendit.