Vrasja e gjeneralit, Irani ndërmerr hapin tjetër ekstrem – braktis marrëveshjen bërthamore të vitit 2015

05.01.2020 20:26:35

Irani nuk do të respektojë me asnjë kufizim të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, njoftoi të dielën televizioni shtetëror i vendit.

Një veprim i tillë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi erdhi të dielën mbrëma, pasi një zyrtar tjetër iranian tha që do të konsiderojnë ndërmarrjen e hapave edhe më të ashpra pas vrasjes nga SHBA të gjeneralit iranian Qassem Soleimani të premten në Bagdad.

Siç shkruan euronews, televizioni shtetëror citoi një deklaratë të administratës së presidentit iranian Hassan Rouhani duke thënë se vendi nuk do të respektojë kufizimet në pasurimin e uraniumit, sasinë e tij, si dhe hulumtimin dhe zhvillimin në aktivitetet bërthamore.

Gjithsesi, nuk është sqaruar se në cilat nivele do të arrihet me programin.

Po sipas euronews, nuk ka qenë e mundur të merret ndonjë përgjigje nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, mbikëqyrësi i Kombeve të Bashkuara që vëzhgojnë programin e Iranit.

Ndryshe, më parë të dielën, Iraku votoi për të dëbuar trupat e huaja dhe Hezbollah u zotua të përfundojë praninë e ushtrisë së Amerikës në Lindjen e Mesme.

Qindra mijëra njerëz thuhet të kenë dalë në rrugët e Iranit pasi arkivoli me trupin e komandantit ushtarak Qassem Soleimani po parakalonte nëpër rrugë.

Soleimani, arkitekti i operacioneve klandestine dhe ushtarake të Teheranit, si shef i forcave të Qudsit të Gardës Revolucionare, u vra të premten në një sulm me dronë amerikanë derisa gjendej në një kolonë në aeroportin e Bagdadi

Ndërkohë, autoritetet iraniane thuhet se kanë bërë të ditur se do të ofrojnë një shpërblim prej 80 milionë dollarësh për kokën e presidentit amerikan Donald Trump, pas vrasjes së gjeneralit Qasem Soleimani.

Sipas Mirror, një “ofertë e tillë” është bërë gjatë transmetimit televiziv të funeralit nga transmetuesit zyrtarë shtetërorë.