VV nuk ishte në seancë, AAK dhe Nisma erdhën për të votuar vetëm një projektligj

01.12.2016 12:51:14

Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në seancën e sotme, ku do të votoheshin disa Projektligje, të cilat në mungesë kuorumi nuk u votuan në seancën e djeshme.

Ishte Daut Haradinaj i vetmi deputet i opozitës, i cili në fillim të seancës erdhi, por pasi u nënshkrua doli nga seanca.

E Kuvendi në fillim të seancës pati vështirësi për t’i votuar projektligjet, pasi që deputetët e pranishëm nuk votonin.

Xhavit Haliti, i cili kryesonte seancën tha se ata që nuk votojnë nuk do të marrin meditje.

“Kjo është me lujt bre. Jeni tu lujt këta që jeni në sallë nuk po votoni. Në qoftë se jeni kundër thoni se jeni kundër. Votoni kundër. Leje bre mos luani. Nëse nuk votoni unë e mbylli seancën dhe shkojmë në shtëpi, s’kemi çka bëjmë na. Me lujt cirkuz se kam njet…sipas informimit që ma bënë, në seancën e fundit është deklaruar që ata që nuk votojnë nuk marrin meditje. Besoj që është e drejtë“, tha ai.

Ndërsa deputetja Besa Gaxherri, propozoi që votimet të bëhen me dorë, pasi që disa deputetë “ende nuk janë kfjellur”.

“Ndodh që teknika s’po punon ose ndodh që dikush nuk është kfill hala, të kisha lut të shkojmë me dorë me votu secili le ta shohin dhe opinioni se kush është e kush s’është e kush po voton. Provone me dorë është më mirë”, tha ajo.

Ndërkaq deputetët e AAK-së dhe Nismës, erdhën në seancë, në kohën kur pritej të votohej Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Dhe pas miratimit të kësaj pike, ata kanë lëshuar seancën, në kohen kur pritej të bëhet zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Ishte Ismet Beqiri, ai që falënderoi deputetët e dy partive opozitare AAK dhe Nisma, të cilët erdhën për të votuar një pikë të rendit të ditës.

Beqiri kritikoi deputetët e VV-së, të cilët munguan për ta votuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015, nga e cila do të përfitojë dhe Prishtina miliona euro, të cilat janë paraparë që të investohen në Termokos. Ai tha se deputetët e VV-së, po duan që t’i humbin Prishtinës miliona euro.

“Le ta dijnë qytetarët që është mes tjerash në këtë pako të ndihmës që e marrim nga BE, janë edhe 33 milionë euro për energji dhe prej tyre janë 21 milionë euro që kanë të bëjnë me Termokosin në Prishtinë dhe Gjakovë. Kur flasim për Prishtinën, le ta dijnë qytetarët e Prishtinës se këta zotnitë që e udhëheqin Prishtinën, më së paku mendojnë për Prishtinën. Sot ia humbin 20 e sa milionë euro. Ose rrezikojnë me i humb”, tha ai.

Por Melihate Tërmkolli ka reaguar lidhur me falënderimin që Beqiri i bëri opozitës për prezencën në seancë, për ta votuar marrëveshjen financiare Ipa 2015.

Tërmkolli tha se pushteti dhe opozita kanë obligime për qytetarët e Kosovës dhe se nuk duhet të falënderohen që vijnë në seancë dhe votojnë.

E pas kësaj reagoi deputeti Daut Haradinaj, i cili tha se s’kanë nevojë për falënderime, pasi që ata e kanë obligim të vijnë në seancë dhe të votojnë.

“Shpresoj që pushteti të ketë konsiderata edhe në seanca tjera, jo vetëm kur i konvenon”, tha ai.

Ndërkaq Pal Lekaj tha se AAK do të jetë mbështetëse e fuqishme e të gjitha proceseve pozitive për qytetarëve të vendit, por çdo herë do ta kundërshtojnë të keqen e këtij vendi.

Edhe Valdete Bajrami tha se Nisma gjithmonë ka përkrahur marrëveshjet që janë në të mirë të vendit dhe qytetarëve. Ndërsa tha se opozita duhet ta kenë parasysh, që jo gjithmonë kryejnë punë numrat.

Ndryshe, me 81 vota pro, Kuvendi miratoi Ligjin për Marrëveshjen Financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për të cilën kërkohen 80 vota.

Kuvendi në seancën e sotme miratoi dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor.

Po ashtu u miratua në parim Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë, Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa, Projektligji për akreditim. Kuvendi miratoi dhe Raportin vjetor i Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015, Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015,

U miratuan dhe Rekomandimet të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT.

U miratua dhe Propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.

Ndërsa nuk u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale.

E Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, nuk u votua, pasi që duhet të jenë të pranishëm deputetët e komuniteteve, të cilët nuk ishin prezent në seancë.