VV-së i bëhet thirrje që mos ta vonojë formimin e qeverisë, ndryshe mund të shkaktojë ngërç politik

21.04.2020 15:59:51

Instituti Demokratik i Kosovës, i ka bërë thirrje kryetarit të VV-së, Albin Kurti, që si fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit, të mos vonohet në krijimin e institucioneve të reja.

Me anë të një komunikate për media, KDI ka thënë se VV duhet që pa humbur kohë të ushtrojë të drejtën për të dërguar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë, shkruan lajmi.net.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson që pas katër letërkëmbimeve në mes të Presidentit dhe Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues i zgjedhjeve në tre javët e fundit, kjo e fundit, pa humbur kohë duhet të ushtrojë të drejtën për të dërguar emrin e mandatarit për formimin e qeverisë. Rrjedhimisht, ne kërkojmë nga Lëvizja Vetëvendosje, që si fituese e zgjedhjeve, të zhvillojë konsulta me subjektet e tjera politike për lidhje të koalicionit të ri dhe të caktojë brenda një afati sa më të shpejtë kohor mandatarin e ri për të formuar Qeverinë”, thuhet në njoftim.

KDI thotë se nëse LVV nuk ka  vullnet politik për ta dërguar emrin e  një mandatari për formimin e qeverisë së re, ajo mund ta ushtrojë të drejtën e refuzimit të mandatit, siç parashihet edhe në aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese.

“Megjithëse Kushtetuta jonë nuk e përcakton afatin kohor për propozimin e mandatarit, konsiderojmë se çdo vonesë në shfrytëzimin e kësaj dispozite kushtetuese mund ta shpijë vendin në ngërç institucional dhe kushtetues, si dhe do ta cenojë edhe parimin e stabilitetit institucional të vendit, duke ia pamundësuar Kuvendit ushtrimin e kompetencave të tij në zgjedhjen e Qeverisë. Ne vlerësojmë që stabiliteti institucional është vlerë që duhet të promovohet nga të gjitha subjektet politike në Kosovë, në përputhje edhe me legjitimitetin qytetar”, thuhet në fund të komunikatës së  KDI-së.

Ndryshe, që nga 25 marsi Kosova është me qeveri në detyrë, pas rrëzimit të Kurtit nga 82 deputetë në Kuvendin e Kosovës.