Ymeri për arrestimin e Gjuriqit: Vlerësojmë operacionin e Policisë, por…

27.03.2018 14:00:09

Deputeti i Grupit të pavarur të deputetëve, Visar Ymeri tha sot se arrestimi i Marko Gjuriqit ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjin, por sipas tij, shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk është çështje aktesh sporadike, por e organizimit serioz e të vendosur shtetëror, e aq më pak është çështje e akteve të mediatizuara.
Ymeri në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se përkundër kësaj GPD vlerëson punën e Policisë së Kosovës dhe vendosmërinë e tyre në këtë ndërhyrje.

Lexoni të plotë postimin e Ymerit në Facebook:

“Arrestimi i djeshëm i Marko Gjuriqit ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjin. Natyrisht që në Kosovë, sikur në çdo shtet tjetër, duhet të zbatohen masa me të cilat sigurohet integriteti i kufijve dhe territorit. Policia e Republikës së Kosovës dje ishte në nivel të detyrës.

Megjithatë shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk është çështje aktesh sporadike, por e organizimit serioz e të vendosur shtetëror. Aq më pak është çështje e akteve të mediatizuara.

Përkundër kësaj Grupi i Pavarur i Deputetëve vlerëson punën e Policisë së Kosovës dhe vendosmërinë e tyre në këtë ndërhyrje.

Është pikërisht dimensioni politik i këtij rasti ai që ngrenë shumë pikëpyetje. Arrestimi koincidoi të ndodh në ditën e njëjtë kur Presidenti Thaçi, pas takimeve me Vuçiqin, herë të fshehta e herë publike, e inicioi procedurën e ringjalljes së Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Dhe ky aksion policor, gjithnjë duke e kujtuar atë të korrikut të vitit 2011, më shumë se avancimit të sovranitetit i ngjanë parapërgatitjes për negociata. Në këtë drejtim, në vend se të funksionalizohet Republika e Kosovës, rrezikojmë ta funksionalizojmë dialogun e Thaçit, i cili, sikur në të kaluarën, e rrezikon Republikën.

Grupi i Deputetëve të Pavarur kërkon që të ndalet përfundimisht avancimi i ndarjes së brendshme në vija etnike, që ka qenë dhe mbetet temë e secilës valë të negociatave. Tash e dhjetë vjet pavarësi, u dëshmua që këta mekanizma institucional (me predikate etnike) nuk sjellin integrim, por vetëm thellim të ndarjes. Ndarja e brendshme mund të shndërrohet në ndarje formale të Republikës së Kosovës.

GDP është i përkushtuar në avancimin e sovranitetit të Republikës dhe karakterit unitar të saj. Republika e Kosovës duhet të jetë Republikë e qytetarëve, të barabartë, bashkëjetues e bashkëpunues”, shkruan Ymeri në Facebook.