Zëvendësministër Berisha, lëre arrogancën dhe injorancën: çdo njohje e Kosovës ka peshë!

17.02.2018 10:37:32

Nga Rexhep Kastrati

Sot kur janë bërë 10 vjet Pavarësi dhe kur qytetarët e Kosovës janë në festë, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, u është përgjigjur me arrogancë informacioneve për mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë nga ana e Burundit.

“Nuk ka asnjë peshë as njohja as mos njohja e Burundit, besoj që Serbia do të bëjë tema të kësaj natyre që me kontestu Pavarësinë e Kosovës. Jemi në Pavarësi ,në ditë feste, ajo merr një shtet herë Burundi e herë Guineja  Bisau edhe bën kësi tema të kota, ata veq po e riciklojnë temën” – është shprehur zëvendësministri Berisha, duke treguar pos arrogancës, mungesës së taktik diplomatik, injorancës, edhe mungesë të informacionit për vërtetësinë e lajmit të përhapur nga politika dhe mediet serbe.

Për një shtet si Kosova që ka më qafë Rezolutën 1244, që ende nuk është anëtare e OKB-së dhe që aspiron të anëtarësohet në këtë organizatë dhe në organizata të tjera,çdo njohje nga shtetet është me peshë dhe me rëndësi të madhe, pasi që në këtë mënyrë fiton më shumë legjitimitet ndërkombëtar, dhe bëhet më i lehtë anëtarësimi në organizaza ndërkombëtare.

Në fakt, u pa me rastin e kërkesës për pranim në UNESCO se pesha e votës së çdo shteti anëtar është e madhe, dhe pikërisht luhatshmëria e shteteve të tilla që sipas zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Berisha, na qenkëshin nuk kanë asnjë peshë, pamundësuan anëtarësimin në UNESCO.

Mirëpo, për dallim nga arroganca dhe nënvleftësimi për shtete si Burundi, me të cilën shprehet Anton Berisha, nuk ndodhi kështu me njohejn nga ana e Brabadosit, një shtet i vogël sa një qytet me rreth 240 kilometra katror, por u paraqit sikur të njihej nga ndonjë superfuqi.

Arroganca e këtillë, është shumë e rrezikshme, sepse përcjell mesazhtë keq për shtete të tjera, të cilat do të mund ta ndjenin veten të fyera, të nënçmuara dhe të poshtëruara nga Kosova, dhe të gjitha këto do të mund të krijonin lehtësi për diplomacinë serbe për t’i bindur që të tërheqin njohjet e Kosovës.

Në aspektin diplomatik, kjo që shpreh Anton Berisha edhe në kuptimin bona fide nuk paraqet as minimumin e mirësjelljes diplomatike dhe si e tillë nuk përfaqëson as dinjitetin dhe vullnetin e qtytarëve të Kosovës, as të institucioneve të saj.

Si ministri i Punëve të Jashtme, dhe si zëvendësministër i kësaj ministrie, Anton Berisha do të duhej të kishte informacionin paraprak se çka po bën Serbia në këtë drejtim, pra edhe të kishte informacionin se a është e vërtetë apo jo se Burundi ka tërhequr njohjen.

Mirëpo, ai duket se është dehur dhe nuk i interesonte fare, por me të parën e me të fundit lidhje me 10 vjetorin e pavarësisë.

Është e qartë se më të tillë “diplomatë”, Kosova jo që e ka të vështirë të realizojë njohje të reja, jo që e ka të vështirë të ketë ndonjë sukses diplomatik, pra edhe anëtarësime në organizma ndërkombëtare, por rrezikon që të ketë regres dhe tërheqje të njohjeve si dhe krijim përparësisht për diplomacinë serbe, ruse etj.