Zidane mbron futbollistët: Nata më e vështirë, jam unë përgjegjësi

25.01.2018 10:11:28

Zinedine Zidane merr përgjegjësitë për eliminimin e turpshëm të Realit të Madridit nga Leganes në Kupën e Mbretit. Trajneri francez e ka të vështirë ta kuptojë sesi mund të eliminohet një ekip i madh si Reali kur e ka fituar ndeshjen e parë 0-1.

“Pasi fituam në ndeshjen e parë, luajtëm shumë keq në shtëpi. Mund të themi çfarë të duam, por kjo është një mbrëmje shumë e vështirë. Jam përgjegjës dhe shumë i mërzitur me veten për këtë që ndodhi. Sot jam unë ai që ka dështuar. Nuk mund të eliminoheshim me atë rezultat që kishim marrë në takimin e parë. Jemi shumë të zhgënjyer. Siç e thash, marr përgjegjësitë.”

Zizou shmang kritikat ndaj futbollistëve dhe fajëson veten për këtë që ndodhi.

“Po, është momenti im më i vështirë. Nuk e kuptoj sesi ndodhi. Nuk jam i mërzitur me futbollistët, por me veten. Edhe pse kanë një pjesë të fajit, sepse ata luajnë në fushë, jam unë përgjegjësi.”